Dënohet në Angli bosi shqiptar i trafikut Alket Dauti, publikoi foto në TikTok pas kthimit të paligjshëm në Londër
Një shqiptar i njohur si “mjekra” dhe dikur një nga drejtuesit e grupeve kriminale të trafikut të emigrantëve nga Belgjika drejt Anglisë, është dënuar me 8 muaj burg për hyrje ilegale në Mbretërinë e Bashkuar.
Alket Dauti, i cili u ekstradua më parë nga Britania për në Belgjikë për trafikim të qenieve njerëzore dhe më pas u dëbua në Shqipëri, u kthye përsëri ilegalisht në Londër, ku ka edhe familjen e tij. Identiteti i tij u zbulua nga gazetarët britanikë pasi publikoi foto duke vozitur në rrugët e Londrës në TikTok.
Gjatë konferencës për shtyp në Tiranë, kryeministri britanik Keir Starmer theksoi se numri i emigrantëve të dëbuar është shumëfishuar gjatë qeverisjes së tij dhe paralajmëroi se ata që shkelin urdhrin e dëbimit do të përballen me ligjin.
Në seancën gjyqësore, Dauti pranoi akuzat për hyrje ilegale, ndërsa gjykatësi i përmendi një letër prekëse nga bashkëshortja e tij, por shtoi se “nuk mund të injorohet fakti se ai hyri në Britani ilegalisht”.
Sipas gazetës Mail on Sunday, pak përpara përfundimit të dënimit, Dauti do të vizitohet nga oficerët e Ministrisë së Brendshme për të vlerësuar nëse mund të qëndrojë në Britani, ose do të përballet me dëbim të menjëhershëm përmes fluturimeve të përjavshme Londër-Tiranë.