Dënohet me 32 vite burg Nardi Idrizi për plagosjen e tre personave në Athinë/ Zbardhen detaje të reja nga e kaluara kriminale

Drejtësia greke ka dënuar me 32 vite burg 39-vjeçarin shqiptar Nardi Idrizi, i cili në dhjetor të vitit 2023 plagosi me armë zjarri tre persona në zonën e Gazit në Athinë. Vendimi u dha pak javë pas vetëdorëzimit të Idrizit në polici në muajin mars, pas disa muajsh arrati.

Ngjarja ndodhi në 16 dhjetor 2023, në orët e para të mëngjesit, kur Idrizi, pas një debati verbal me tre të rinj jashtë një lokali nate, hapi zjarr ndaj tyre, duke i plagosur në kokë. Viktimat ishin dy vëllezër nga Kreta dhe një shok i tyre, që ndodheshin në Athinë për festën e beqarisë së njërit prej tyre. Debati nisi në rrugë me pasagjerët e një fuoristrade dhe përfundoi në një përleshje, nga ku njëri prej tyre, Nardi Idrizi, qëlloi me armë.

Pas ngjarjes, Idrizi u largua drejt Shqipërisë, por më pas u vetëdorëzua. Ndërkohë, shoku i tij, Emiljano Jakupi, 35 vjeç, u arrestua në Greqi. Ai rezulton me precedentë të rëndë penalë, përfshirë edhe pjesëmarrjen në vrasjen e 40-vjeçarit Pëllumb Islami në Athinë, më 21 shkurt 2023. Jakupi ishte në kërkim për vepra të shumta penale, përfshirë vjedhje, drogë dhe grabitje banesash.

Nardi Idrizi, me emër të dytë Fatbardh Idrizi, është lindur në Durrës dhe banues në Vlorë. Ai është një personazh i njohur për autoritetet shqiptare, me një të kaluar kriminale të gjatë. Në vitin 2013, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në Shqipëri e dënoi me 13 vjet e 4 muaj burg për një seri veprash penale, përfshirë:

-Vrasje në tentativë në dëm të dy policëve (Isuf Lamaj dhe Besnik Brahimaj),

-Grabitje me armë në bashkëpunim në disa ngjarje në Vlorë, Tepelenë dhe Gjirokastër,

-Mbajtje pa leje të armëve luftarake,

-Vjedhje të bankave dhe kazinove në vitet 2010–2012.

Në një rast konkret, më 23 gusht 2012, pas një grabitjeje në një karburant në Vlorë, Idrizi qëlloi me armë ndaj një patrulle policie, duke tentuar të vrasë dy efektivë. Pas kësaj ngjarjeje, ai u arrestua në gusht 2012.

Në vitin 2020, Idrizi ka përfituar ulje të paligjshme të dënimit në burgun e Fierit, fakt që u hetua nga Prokuroria si pjesë e një skeme abuzimi dhe shpërdorimi detyre.

Në prill 2024, Nardi Idrizi u shpall sërish në kërkim nga policia greke, pasi dyshohet se ishte pjesë e një rrjeti që merrte sende të vjedhura nga grupet kriminale të grabitjes. Ndërkohë, në shkurt 2024, është arrestuar në Greqi vëllai i tij, Joni Idrizi, i cili ishte në kërkim nga drejtësia shqiptare për thyerje të masës së sigurisë, ndërsa ishte i dënuar më parë për grabitje me armë në banka dhe karburante në vitin 2012.