Dënohet Ervin Salianji, reagojnë deputetët e opozitës: Sulm politik
Nënkryetari i PD-së Luçiano Boçi, ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit për të dënuar me një vit burg deputetin Ervin Salianji. Boçi shprehet se dënimi i Salianjit është një akt hakmarrjeje e verbër politike dhe se PD e dënon me forcën më të madhe.
“Ky akt është një kushtrim, është një SOS të ngrihemi në mosbindje civile: “O sot, o kurrë” kundër Edi Ramës dhe narko-diktaturës së tij”, Sot në luftën e shpallur ndaj opozitës, Edvin Kristaq Rama dënoi me burgim politik deputetin e opozitës Ervin Salianji për betejën e tij guximtare kundër Edi Ramës dhe narko-shtetit të tij.
Sot Ervin Salianji u dënua nga Edi Rama, Geron dhe Fatzi Xhafa në një akt hakmarrje të verbër politike për faktin e vetëm se deputeti Salianji vërtetoi lidhjen dhe veprimtarinë kriminale të narko-trafikantit ndërkombëtar vëllait të Fatmir Xhafës, ministër trafikant, dhe Edi Ramës kreu i narko-shtetit shqiptar. Dënimi i sotëm i Ervin Salianjit dëshmon se në këtë vend droga dhe krimi i lidhur me qeverinë janë vendim-marrësit kryesorë në narko-shtetin shqiptar.
Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këtë akt politik të shëmtuar të Edi Ramës dhe narko-shtetit të tij kundër Partisë Demokratike, opozitës dhe pluralizmit plitik në Shqipëri si dëshmi e terrorit të egër ndaj opozitës për Partinë Demokratike, për çdo demokrate dhe demokrat, për çdo opozitare dhe opozitar, ky akt është një kushtrim, është një SOS të ngrihemi në mosbindje civile: “O sot, o kurrë” kundër Edi Ramës dhe narko-diktaturës së tij, përfundoi deklaratën Boçi.
Nënkryetari i PD-së, Agron Gjekmarkaj, në lidhje me dënimin me një vit burg të deputetit demokrat Ervin Salianji është shprehur se “është akti i fundit politik i gatuar në kuzhinën e rilindjes dhe formalizuar nga gjykata sot”. Gjekmarkaj po ashtu deklaroi se PD nuk do të dorëzohet përballë këtij vendimi dhe kjo e sotmja ishte një ditë e zezë për drejtësinë dhe për demokracinë.
Pranga në duart e Opozitës!Dënimi i Nënkryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Drejtuesit politik të Qarkut të Elbasanit, politikanit të spikatur, deputetit Ervin Salianji është akti i fundit politik i gatuar në kuzhinën e rilindjes dhe formalizuar nga gjykata sot. Dënimi, vjen në një kohë kur pushteti ka marrë revansh ndaj fjalës së lirë dhe frikës së humbjes së pushtetit. Kjo është një ditë e zezë për drejtësinë dhe për demokracinë! PD nuk do të dorëzohet përballë këtij vendimi absurd.Demokratët dhe qytetarët e këtij vendi duhet ta ndalin zhbërjen, ndalimin, asgjësimin e Opozitës! Pas politikanëve të Opozitës prangat tunden për ta. Duhet të bashkohemi fuqishëm, të ngrihemi fuqishëm, ti shtrijmë dorën njeri-tjetrit dhe ta ndalim revanshin e neodikaturës!
Deputeti demokrat Edi Paloka, kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së, tha në rubrikën “Opinion” në News24 se ndaj diktaturës s’mund të përdoren metoda demokratike. Paloka tha se reforma në drejtësi u bë që Edi Rama ta merrte nën kontroll dhe ja ku jemi sot, kur një deputet i opozitës, dënohet me burg nga Gjykata e Apelit. Paloka tha se deputetët e PS janë një tufë kartonësh që i kontrollon Edi Rama.
“Nuk mund të ulim kokën para diktaturës”, tha Paloka, duke shtuar se Edi Rama nuk njeh gjuhë tjetër përveç asaj të dhunës.
Diplomati i karrierës Agim Nesho, në një intervistë për News 24 ka komentuar dënimin me një vit burg të Ervin Salianjit nga Gjykata e Apelit.mNesho tha se drejtësia është bërë palë me regjimin mafioz. Ai tha se solidarizohet me Salianjin deri në fund, pasi ai ka bërë betejë për demokracinë.