Dënohet bosi i mafias që kërcënoi Roberto Savianon, shkrimtari shpërthen në lot: Më vodhën jetën!
Një nga bosët famëkeq të mafias napolitane, Francesco Bidognetti, është dënuar me 18 muaj burg për kërcënimin e shkrimtarit të njohur italian anti-mafia, Roberto Saviano. Vendimi u dha nga Gjykata e Apelit në Romë, e cila la në fuqi një vendim të mëparshëm të vitit 2021, duke konfirmuar edhe dënimin me 14 muaj burg për ish-avokatin e Bidognetti-t, Michele Santonastaso, për të njëjtin krim.
Saviano, i njohur për librin e tij tronditës “Gomorrah”, shpërtheu në lot në sallën e gjyqit pas shpalljes së vendimit, duke përqafuar avokatin e tij dhe duke deklaruar para mediave: “Më vodhën jetën”. Ai ka qenë nën mbrojtje të përhershme policore që nga viti 2006, kur publikoi librin që ekspozoi rrënjët dhe krimet e Kamorrës napolitane, një vepër që më vonë u kthye në film dhe serial televiziv.
Kërcënimi i Bidognetti-t ndaj Saviano-s lidhet me një deklaratë të lexuar nga avokati Santonastaso në sallën e gjyqit në vitin 2008, ku gazetarit dhe një kolegu të tij iu “sugjerua” që të bënin punën “siç duhet” – një mesazh që u interpretua qartë si një paralajmërim mafioz për t’i bërë të heshtin.