Denis Meçe, me precedentë penalë për plagosje e kundërshtim të forcave të policisë

Denis Meçe i arrestuar si autor i vrasjes së Egli Progës në qytetin e Pogradecit, nuk ka qënë i panjohur. 29-vjeçari Meçe ka pasur precedente të mëparshëm penal, kryesisht ato që cënojnë rendin dhe sigurinë publike, ndër to dhe plagosje të shtetasve të tjerë apo edhe kundërshtim të forcave të policisë.

Gjatë viteve 2014, 2016 dhe 2020 shtetasi Denis Meçe rezulton i proçeduar disa herë nga policia, por sipas të dhënave ai asnjëhërë nuk është dënuar nga gjykata, ndërsa 29-vjeçari ka arritur të shpëtojë nga procedimet penale.

Ndërkohë prej 11 gushtit 2024 ndodhet i arrestuar pasi akuzohet se vrau Eglantin Progën (emri i shkurtuar Egli). Prokuroria e akuzon për ‘vrasje nga pakujdesia’, që nënkupton një masë dënimi më të ulët sesa vepra penale që kishte referuar dosjen policia ‘vrasje me dashje’  Për ti shpëtuar ‘arrestit me burg’ Meçe ofroi 10 milionë lekë të vjetra garanci për të ndryshuar masën e sigurisë në ‘arrest shtëpie’ por gjykata e Korçës refuzoi.

Gjithashtu për t’i shpëtuar qelisë Meçe dhe avokati i tij pretendoi se Meçe nuk i është arratisur për disa orë policisë, por duke qenë se ishte në gjendje të dehur, është larguar nga vendi i krimit,  ka fjetur në makinë e kur është përmendur ka shkuar në polici.

Ngjarja e rëndë e ndodhur pasditen e së shtunës së datës 10 gusht në Pogradec tronditi opinionin publik dhe solli një varg reagimesh deri në instancat më të larta të politikës dhe shtetit. Opozita akuzoi për fshehje të ngjarjes dhe mbështetje të autorëve të krimit, ndërsa akuza u hodhën edhe për mosreagim të shpejtë edhe të urgjencës.

Akuzat u kundërshtuan ashpër nga policia e shtetit dhe Urgjenca Kombëtare, ndërsa vetë Kryeministri Rama akuzoi për dezinformim të qëllimshëm dhe përdorje politike të një vdekjeje tragjike. Teksa lavdëroi punën e uniformave blu dhe mjekëve, Kryeministri shkroi se e mirëkupton indinjatën dhe skandalizimin me veprimet e prokurorisë e cila akuzën për vrasje me dashje e bëri vrasje nga pakujdesia.

Vetë Prokuroria topin tentoi t’ia kalojë policisë kur tha se aq ishin provat paraprake, ndërsa vetë gjykata shpjegoi se në këtë moment ajo s’mund të bënte asgjë përveçse të pranonte kërkesën e organit të akuzës. Për këto veprime në institucionet e drejtësisë në Korçë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë në Tiranë ka nisur verifikimet, pasi ka kërkuar të gjithë procedurat dhe veprimet hetimore.