Dëmtohet zyra elektorale në “Ali Demi”. Reagon policia. Pas saj edhe PSD: Distancohemi nga çdo akt dhune. Sherri s’ka lidhje me…

Mesditën e sotme, njofton policia, disa persona janë përfshirë në një sherr dhe për pasojë, janë dëmtuar xhamat e zyrës elektorale të Partisë Socialdemokrate në zonën e “Ali Demit”.

“Rreth orës 14:00, në sallën operative të DVP Tiranë ka ardhur një telefonatë se në rrugën “Ali Demi” kishte një konflikt midis disa shtetasish, në ambientet e një zyre elektorale.Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, është konstatuar i dëmtuar dyshohet me sende të forta xhami i zyrës së subjektit elektoral. Po nga këqyrja e vendit të ngjarjes, janë konstatuar dy fishekë luftarak të paplasur. Menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë shkuar forca të shumta policie dhe grupi hetimor. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në konflikt, të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet. Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e motivit të konfliktit dhe dokumentimin e rrethanave të rastit.” thuhet në njoftimin e policisë.

Për ngjarjen janë shpallur në kërkim dy persona, mes tyre edhe Arjan Telhallari. Menjëherë pas kësaj ka ardhur edhe reagimi zyrtar nga Partia Socialdemokrate. PSD mohon që ngjarja të ketë lidhje me zyrën elektorale apo me persona që punojnë në zyrën elektorale.

“Partia Socialdemokrate sqaron opinionin publik se ngjarja e ndodhur këtë mesditë në rrugën “Ali Demi”, nuk ka asnjë lidhje me zyrën tonë elektorale apo me aktivitetin e Partisë Socialdemokrate. Vendi ku ka ndodhur incidenti ndodhet pranë ambjenteve tona, por asnjë nga anëtarët apo simpatizantët tanë nuk ka qenë i përfshirë në konfliktin në fjalë. Dënojmë çdo akt dhune dhe presim që organet kompetente të sqarojnë plotësisht rrethanat e ngjarjes.” thuhet në reagimin e PSD.

Po ashtu ka reaguar edhe i deleguari i PSD në njësinë nr.1, kandidati për deputet, Tedi Mula. Mula shprehet se zyra ka qenë e mbyllur dhe i bën thirrje organeve të ligjit që të zbardhin ngjarjen.

“Në vijim të deklaratës së Partisë Socialdemokrate, ku sqarohet se sherri i ndodhur në rrugën “Ali Demi”, përpara zyrës sonë elektorale, si i deleguar në këtë njësi, sqaroj më tej se: Personat e përfshirë në konflikt, nuk janë pjesë e strukturave të PSD në njësinë 1. Ngjarja ka ndodhur në ambjentet e jashtme të zyrës, duke shkaktuar edhe dëmtime të shumta. Asnjë nga stafi elektoral nuk ka qenë prezent në zyrë në momentin që ka ndodhur ngjarja. I bëj thirrje Policisë dhe organeve të zbatimit të ligjit që të zbardhin me rigorozitet këtë ngjarje të ndodhur.”- thuhet në reagimin e kandidatit të PSD, Tedi Mula.