Dëmtimi i LeBron James ‘hap’ plagë të rënda te Los Angeles Lakers

Dëmtimi i LeBron James ka shkaktuar dhimbje koke te Los Angeles Lakers.

38-vjeçari parashikohet të mungojë nga 5 deri në 6 javë, duke lënë skuadrën në një moment tepër delikat për sezonin. Lakers tenton që të sigurojë një vend në fazën play-off të NBA, por pa James në parket gjërat ndërlikohen jo pak.

Një fakt të tillë e konfirmojnë edhe statistikat. Pa LeBron James në fushë, Lakers e ka të vështirë për të dominuar mbi kundërshtarin dhe rrjedhimisht shtohen pengesat për të arritur fitore.

Që kur mbërriti në sezonin 2018-2019, Lakers ka fituar pa të në fushë 36 herë dhe humbur dyfishin e tyre, konkretisht 62 duele. Trendi nuk ka ndryshuar as këtë sezon, me yllin e Lakers që ka qënë shpesh në infermieri për shkaqe të ndryshme.

Pa James në fushë, kalifornianët kanë fituar 5 sfida dhe pësuar 9 humbje. Lakers po kalon një moment të mirë aktualisht, pasi ka fituar 3 duelet e fundit, gjithsesi mbetet disi pas në klasifikim me rivalët në garën për të siguruar raundet play-off në Konferencën e Perëndimit.