Del para gjykatës së Tiranës efektivi Erjon Goxhara/ Plagosi inxhinierin e ERE
Ka dalë në gjykatën e Tiranës efekviti Erjon Goxhara i cili plagosi inxhinierin e ERE-së, Lorenc Kosta pasi bashkëshortja e tij kishte një lidhje intime me të. Polici Erjon Goxhara akuzohet për vrasje me paramendim e mbetur në tentative. Ngjarja u regjistrua më 19 gusht tek “Komuna e Parisit”.
Në dëshminë e tij Goxhara ka pohuar para grupit hetimor se nuk ka dashur të vrasë Lorenc Kostën. “Isha tek Komuna e Parisit me vajzën dhe ishim ulur në një sufllaqe. Para tavolinës tonë kaloi Lorenc Kosta dhe më provokoi. Ai kaloi dy herë para tavolinës sime dhe më ngacmonte gjithmonë që përballeshim dhe më thoshte s’më bën dot gjë mua sepse unë të heq nga puna. Të hënën nuk durova më dhe e qëllova. Kam çuar diku vajzën dhe jam kthyer ku edhe kam qëlluar ndaj tij. Nuk kam dashur ta vras dhe prandaj qëllova poshtë. Nuk e kam bërë me paramendim, dhe nuk kam patur për qëllim ta vras. Kam përdorur armën e shërbimit që mbaja me vete. Pas plagosjes kam telefonuar djalin dhe e kam takuar tek rrethi I Shkozës. Kemi shkuar bashkë me taksi për në Fresk dhe aty jam përballur me një polic civil i cili më thirri me emër dhe më tha të qëndroj duke më nxjerrë armën. Unë i thashë më mirë vras veten sesa të dorëzohem dhe jam larguar në drejtim të Dajtit derisa vendosa të vetëdorëzohem”, është shprehur Goxhara.
Policia e Tiranës kishte vendosur një shpërblim prej 10 mijë eurosh për informacione që do të çonin në arrestimin e efektivit të policisë së Kufirit. Dyshohet se ai shtiu disa herë ndaj Kostas me armën e shërbimit, por në momentin që kreu atentatin ndaj tij, nuk ishte në shërbim.