Del ekspertiza/ Lulzim Toçi vuante nga skizofrenia, vrau bashkëshorten në sy të dy fëmijëve
Lulzim Toçi, 30-vjeçari që mbyti bashkëshorten e tij 24-vjeçare, Eleonora, në sy të dy fëmijëve të mitur, vuante nga skizofrenia akute. Sipas rezultatit të ekspertizës mjekësore, Toçi ka vepruar në momentin e krimit nën impuls dhe pa e kuptuar veprimin e tij.
Ngjarja tragjike ndodhi në nëntor të vitit 2024, në shtëpinë e çiftit në Via Caravaggio, Napoli. Pas krimit, Lulzim Toçi, në gjendje të rënduar emocionale, është larguar nga shtëpia dhe ka kërkuar ndihmë te kunata e tij. Ishte pikërisht ajo që zbuloi trupin e pajetë të së motrës përmes një video-telefonate me dy nipërit, 4 dhe 6 vjeç, të cilët ishin dëshmitarë të ngjarjes.
E alarmuar, kunata ka lajmëruar menjëherë policinë, e cila ka ndaluar 30-vjeçarin jashtë shtëpisë së saj. Gjatë arrestimit, ai ka pranuar menjëherë krimin, duke thënë: “Kam vrarë gruan time.”
Gjatë marrjes në pyetje, Lulzim Toçi ka përsëritur deklaratën e tij para gjyqtarit, pavarësisht vështirësive gjuhësore dhe gjendjes së tij të rënduar psikologjike. Hetimet e kryera nga Karabinierët, të koordinuara nga kompania Maddaloni, nuk gjetën prova që të vërtetonin ndonjë zënkë apo konflikt të mëparshëm mes çiftit. Fillimisht u ngrit hipoteza se motivi mund të ishte xhelozia, por ajo u përjashtua pas hetimeve të mëtejshme.
Me përfundimin e ekspertizës, avokati mbrojtës Orlando Sgambati kërkon një gjykim të menjëhershëm, duke anashkaluar fazën paraprake.
Ndërkohë, dy fëmijët, të mbetur jetimë nga nëna, fillimisht u besuan kujdesit të dajave të tyre dhe më pas u vendosën në një shtëpi familjare për t’u siguruar atyre një ambient të qetë dhe të sigurt.