Del dëshmia e gruas që u “burgos” në banesë nga 35-vjeçari në Tiranë!

Të paktën viti i fundit për familjen Zhaboli, sidomos për gruan dhe dy fëmijët, ka qenë një tmerr i vërtetë.

Jetnori, 35-vjeçari që u arrestua në Tiranë dy ditë më parë kontrollonte edhe lëvizjen më të vogël të tyre dhe i mbante mbyllur në shtëpi.

Rasti është zbuluar pasi policia ka marrë njoftim për një konflikt në banesë në zonën e Selitës. Policia ka shkuar menjëherë dhe kanë marrë kontakt me mamanë e Jetnorit.
Kjo e fundit ka shpjeguar se brenda shtëpisë ka qenë nusja e Jetnor Zhabolit dhe  vajza e tyre e mitur, 9 vjeçare. Pasi janë liruar, ato janë paraqitur vetë në komisariat për të dhënë deklaratë mbi këtë ngjarje.

Në prezencë të një psikologu, gruaja e 35-vjeçarit ka deklaruar se jeton si në burg prej një viti e gjysmë. Për më tepër ajo është dhunuar dhe nuk ka kallëzuar për shkak se e do burrin e saj.

“Ka një vit e gjysëm që jeton në banesë me kamera, pa dritë, nuk del vetëm, nuk ka telefon dhe e mban të izoluar në banesë”, thuhet në deklaratën e saj.

Më 25 Janar rreth orës 08:30, Jetnori ka dalë dhe ka mbyllur me çelës nusen, mamanë dhe vajzën e mitur. Me vete ka marrë vetëm djalin e vogël, vetëm 3 vjeç, për ta çuar në kopësht.

Gruaja e 35-vjeçarit ka treguar se bashkëshorti e bën gjithmonë këtë gjë nëse nuk është me të, duke mos e lejuar të ketë komunikim me botën jashtë. Gjatë gjithë kësaj kohe ajo nuk di gjë as për familjen e saj pasi ai ia ka ndërprerë komunikimet. Ai i ka marrë edhe çdo mjet identifikimi.