Deklaratat e Ramës për ndërtimet pa leje në Theth, Prokuroria Shkodër: Ishin kontejnerë të përkohshëm

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Policia e Shtetit nisën sot aksionin për lirimin e hapësirave publike dhe ndërtimeve pa leje në fshatin turistik të Thethit.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga aksioni i IKMT-së në Theth, pasi denoncoi publikisht prokuroren Elsa Gjeli, e cila sipas vendimit të bërë publik nga kreu i qeverisë, nuk kishte nisur hetimet “për ndërtimet pa leje në zemër të Thethit” dhe se “kishte hedhur në kosh denoncimin e Policisë”.

“Ja shikojeni vetë live nga Thethi. Kjo është fusha e mrekullueshme e Thethit, ku një kriminel – që as nuk ka kurajon të shfaqet ndërkohë që IKMT po zbaton ligjin – ka hedhur betonin e dynjasë për të ndërtuar “fshatin e tij turistik” pa asnjë leje, një krim i shumëfishtë për të cilën një prokurore e quajtur Elsa Gjeli, ka refuzuar të hapë çështjen duke hedhur në kosh denoncimin e Policisë së Shtetit”, tha Rama.

“Tani çfarë borxhi i kanë zonjës Gjeli, Republika e Shqipërisë, Parku Kombëtar i Thethit, banorët e mrekullueshëm e punëtorë të Thethit, vizitorët e turistët e shumtë dhe gjithë këto forca që kanë zbarkuar sot në Theth, bashkë me taksapaguesit shqiptarë që do të paguajnë tërë këto shpenzime për paga e për karburant, për pastrimin e kësaj katrahure dhe kthimin e qendrës së qytezës magjike në gjendjen e mëparshme?!”, shkruan Rama.

Prokuroria e pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër ka reaguar pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama. Prokuroria e Shkodrës sqaron me anë të një deklarate përse nuk është bërë hetim.

Sipas Prokurorisë, nuk kemi të bëjmë me ndërtim pa leje, por vënie të kontejnerëve përmbi rrasa, ashtu siç është edhe në raportin e policisë që ka raportuar rastin.

“Ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv në proceset vendimmarrëse të institucioneve të drejtësisë, qofshin ato edhe përmes komenteve publike, mund të perceptohen si presion mbi institucionet e drejtësisë dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në këto institucione”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Reagimi i plotë i Prokurorisë:

Nisur nga deklaratat publike të bëra nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, ku është komentuar vendimi i njëProkurori të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë tëJuridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, sqarojmë opinionin publik, si më poshtë vijon:

Vendimi i datës 30.05.2025 i Prokurores zj.Elsa Gjeli është marrë në përputhje të plotë me nenin 290, pika ç të Kodit të Procedurës Penale, ku parashikohet se: “Procedimi penal nuk mund të fillojë kur fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale ose kur del qartë që fakti nuk ekziston”.

Në rastin konkret, nga vlerësimi i plotë i fakteve dhe akteve procedurale, u konstatua se faktet e referuar nga policia e shtetit nuk përbëjnë ndërtim të paligjshëm në kuptim të nenit 199/a të Kodit Penal, për arsyen se:

• Strukturat e konstatuara dhe që janë referuar nga policia kanëqënë kontenjerë të përkohshëm pa themele, të vendosura mbi pllaka guri, dhe si të tilla nuk përmbushin kriteret për të konsideruar objekt ndërtimi sipas standardeve të përcaktuara në ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar.

• Vetë Policia, në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes është shprehur se, kontenjerët nuk janë vendosur mbi bazamente betoni, por kanë qënë të vendosura mbi rrasa guri të prera.

• Sipas nenit 7, pika 3, gërma “i” e VKM nr. 408, datë 13.05.2015, e ndryshuar, strukturat që instalohen për nevoja të çastit dhe/ose të përkohshme, pa themele dhe me materiale të çmontueshme, nuk kërkojnë pajisje me leje ndërtimi, por vetëm deklaratë paraprake.

• Vetë IMT, Bashkia Shkodër në shkresën e saj drejtuar Policisë Gjyqësore e ka klasifikuar faktin si kundërvajtje administrative, jo si vepër penale dhe në këto kushte duhet të kishin vepruar institucionet kanë në përgjegjësi menaxhimin e territorit.

Në këto kushte, mungesa e elementit objektiv dhe pasojës penale, sipas analizës së zbatuar të ligjit, e bën të pamundur ngritjen e ndjekjes penale dhe Prokurori, si organ kushtetues i pavarur, ka detyrimin ligjor që të vlerësojë faktet në përputhje me ligjin.

Në një shtet të së drejtës, pavarësia funksionale e prokurorit garantohet nga Kushtetuta dhe nga ligji nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”. Prokuroria është një institucion kushtetues i pavarur që vepron në përputhje me ligjin, ku çdo vendimarrje procedurale merret mbi bazën e fakteve dhe provave tëadministruara, dhe jashtë çdo ndikimi të jashtëm politik. Çdo përpjekje për të ndikuar në mënyrë direkte ose indirekte nëvendimmarrjen e një prokurori cënon parimin e ndarjes sëpushteteve të sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës.

Respektimi i ndarjes së pushteteteve është themel i funksionimit të shtetit demokrati dhe se ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv në proceset vendimmarrëse të insitucioneve të drejtësisë, qofshin ato edhe përmes komenteve publike, mund të përceptohen si presion mbi institucionet e drejtësisë dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në këto institucione.

Vendimi për mosfillimin e procedimit penal nuk është një akt vullneti personal, por një akt ligjor, që mbështetet mbi rregullat themelore të të drejtës penale materiale dhe procedurale. Çdo shqetësim institucional duhet të adresohet përmes rrugëve të përcaktuara ligjore, dhe jo përmes mesazheve politike publike që synojnë t’i imponohen sistemit të drejtësisë. Shteti i së drejtës nuk mund të funksionojë nëse prokurori frikësohet për çdo vendimmarrje të ligjshme që mund të mos përkojë me interesat e pushteteve të tjera.

Prokuroria mbetet e angazhuar për të kryer funksionin e saj në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.