Deklarata e fortë e Lalës: Ndërhyrja politike ndaloi arrestimin e personave të përfshirë në aferën e mbetjeve toksike të Kurumit
Gazetarja Klodiana Lala ka bërë një deklaratë të fortë në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku ka zbuluar se Prokuroria e Durrësit ishte afër arrestimit të disa personave të përfshirë në aferën e trafikut të mbetjeve të dyshuara si toksike nga kompania Kurum, por ka patur ndërhyrje të forta politike që kanë ndikuar në hetim.
Lala theksoi se, pas një hetimi të thellë, prokuroria kishte mbledhur të dhëna që implikonin disa individë nga Kurum, Sokolaj dhe institucione të tjera si Ministria e Mjedisit dhe Porti i Durrësit, por, në momentet kritike, ka pasur ndikim politik që ka bërë që çështja të mos vazhdojë në rrugën ligjore të duhur.
“Një nga zyrtarët e Portit të Durrësit kishte informuar me email zyrtar se po bëhej kontrabandë e mbetjeve të ndaluara për t’u eksportuar. Pavarësisht se ishin në dijeni autoritetet e portit dhe qeveria shqiptare, nuk janë marrë as mostrat për analizat dhe analiza të tilla janë bllokuar. E vetmja mundësi për të kuptuar përmbajtjen e mbetjeve është të angazhohen ekspertë të huaj dhe të kryhen analiza jashtë vendit,” tha Lala.
Afera ka të bëjë me 102 kontejnerë që ishin mbushur me mbetje industriale nga fabrika e çelikut Kurum në Elbasan dhe ishin dërguar fillimisht në Kroaci, me destinacion Tajlandën për përpunim. Sokolaj i kishte etiketuar mbetjet si “oksid hekuri”, por pas një denoncimi nga një sinjalizues, u zbulua se përmbajtja e kontejnerëve ishte ndoshta e rrezikshme.
Hetimi është në proces dhe Prokuroria e Durrësit ka filluar verifikimin e dokumenteve të lidhura me këtë ngjarje, ndërsa është angazhuar edhe Zyrat Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) për të hetuar thellësisht këtë çështje.