“Dëgjuam krisma, njerëzit vraponin të tmerruar, u plagosën”/ Sherr masiv tek klubi “Lollipop” në Palasë! Policia: Konflikt fizik mes dy grupeve

“Dëgjuam krisma, njerëzit u trembën dhe nisën të shtyhen e të vrapojnë për të dalë jashtë.” Kështu rrëfejnë dëshmitarët për ngjarjen e rëndë që ndodhi në të gdhirë të mëngjesit të sotëm në klubin e natës “Lollipop” në Palasë.

LEXO EDHE: Sherr tek “Lollipop” në Palasë, ka të plagosur! A u përdor arma?

Atmosfera festive u kthye në kaos kur dy grupe djemsh u përfshinë në një sherr të dhunshëm. Sipas raportimeve në redaksinë e Replikë.al, konfliktit i paraprinë debatet dhe më pas përplasja fizike, ku janë përdorur sende të forta si gota dhe shishe. Dëshmitarët thonë se gjatë sherrit janë dëgjuar edhe të shtëna, çka ka shtuar panikun mes të pranishmëve.

Në momentin e ngjarjes, në skenë ishin të ftuar artistët Ylli Limani dhe grupi “Three Dots”. Muzika u ndërpre dhe turma nisi të largohej me nxitim nga frika, duke sjellë një situatë të rrezikshme ku shumë persona janë lënduar gjatë përpjekjes për të dalë nga ambientet e klubit.

Ende nuk dihet nëse ka persona të plagosur nga armë zjarri.

Policia e Vlorës nuk ka dhënë ende një njoftim të plotë mbi ngjarjen, por burime pranë saj e cilësojnë incidentin si një “konflikt fizik mes dy grupeve të rinjsh”. Hetimet janë në vijim dhe pritet të zbardhen rrethanat e plota të sherrit që përhapi panik në zemër të natës në Palasë.