DeepSeek trondit tregun amerikan! Kompania kineze e AI prezanton sistem më të avancuar me më pak shpenzime

Tregjet amerikane të teknologjisë kanë përjetuar rënie të ndjeshme pas prezantimit të një përparimi të madh nga kompania kineze e inteligjencës artificiale, DeepSeek. Kompania ka lançuar një model AI të quajtur R1, që rivalizon sistemet më të avancuara si ChatGPT i OpenAI, Google Bard dhe teknologjitë e Meta-s.

Ajo që ka tronditur tregun është se DeepSeek ka zhvilluar këtë sistem me një investim të ulët prej vetëm 5.6 milionë dollarësh, një kontrast i madh krahasuar me qindra milionë apo edhe miliarda dollarë që kompanitë amerikane shpenzojnë për teknologjitë e tyre të inteligjencës artificiale.

Si pasojë, indekset kryesore të bursave amerikane pësuan rënie të menjëhershme: Nasdaq ra me 2.3%, ndërsa S&P 500 me 1.4%.

Ndërkohë, Meta deklaroi javën e kaluar se do të shpenzojë mbi 65 miliardë dollarë këtë vit për zhvillimin e teknologjive të AI. Sam Altman, CEO i OpenAI, ka theksuar më parë se industria e AI do të kërkojë investime prej triliona dollarësh për zhvillimin e infrastrukturës dhe fuqisë kompjuterike të nevojshme.

Marc Andreessen, një nga investitorët kryesorë të teknologjisë në botë, e përshkroi DeepSeek si një nga “zbulimet më mbresëlënëse” që kishte parë ndonjëherë, duke shtuar se kjo arritje ndryshon ekuilibrat globalë në teknologji.

Ironikisht, ky përparim vjen në një kohë kur SHBA ka ndërmarrë masa për të kufizuar aksesin e Kinës në çipat më të avancuar të AI për arsye sigurie kombëtare. Por DeepSeek ka arritur të tejkalojë këto pengesa, duke krijuar një sistem që kërkon më pak burime financiare dhe infrastrukturore.

Sipas analistëve, arritja e DeepSeek po i detyron investitorët të rishikojnë qasjen e kompanive amerikane dhe shpenzimet marramendëse që ato bëjnë. Keith Lerner, një analist financiar, tha: “Epërsia teknologjike e kompanive amerikane në AI ka qenë një faktor kyç për rritjen ekonomike. Zbulimi i DeepSeek vë në pikëpyetje këtë epërsi dhe efikasitetin e investimeve të deritanishme.”

Ky zhvillim pritet të ketë ndikime të gjera në tregjet globale dhe në balancat teknologjike mes SHBA-së dhe Kinës.