Debati për ndërhyrjet në Spaç, ministri Gonxhja: Nuk po ndërtojmë, po restaurojmë. Çdo përgjegjësi është nën shqyrtim

Pas polemikave publike për ndërhyrjet në ish-burgun famëkeq të Spaçit, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka reaguar përmes një postimi në Instagram, duke dhënë sqarime të detajuara mbi projektin e restaurimit dhe natyrën e punimeve që po kryhen në këtë vend simbolik të kujtesës historike të Shqipërisë.

Në reagimin e tij, ministri Gonxhja thekson se punimet në Spaç janë konservuese dhe jo ndërtuese apo jashtëligjshme, siç është interpretuar në disa media apo komente në rrjetet sociale.

“Pamjet tregojnë qartë se po bëhen punime konservuese, jo ndërtime të pakontrolluara. Nuk është pjesë e ndërhyrjes ringritja e banjove apo e tarracës mbi to. Ato nuk janë aprovuar nga IKTK dhe nuk përfshihen në projekt apo kontratë,” shkruan ministri.

Ai shton gjithashtu se disa elementë të tjerë si një kullë metalike, një fragment rrethimi, një portë dhe një pjesë kangjellash janë përfshirë në kontratë, por ato do të realizohen vetëm pas një procesi të dokumentuar historikisht dhe do të jenë të çmontueshme. Kjo sipas tij është në përputhje të plotë me Planin e Menaxhimit të vendit dhe me standardet e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

“Çdo përgjegjësi gjatë fazës zbatuese është nën shqyrtim. Sqarimi i MEKI ka qenë shterues dhe po ashtu masat nga IKTK,” tha Gonxhja, duke theksuar se do të ndiqet çdo procedurë ligjore për të garantuar mbrojtjen e integritetit historik të Spaçit.

Postimi i plotë:
Duke i uruar të gjithëve një fundjavë të mbarë, nisur nga disa debate që vijojnë edhe në mediume publike e rrjete sociale, shpresoj se pamjet nga Spaçi provojnë reagimin dhe situatën korrekte të punës konservuese.

Mbi disa pikëpyetje shtesë:

Nuk është pjesë e ndërhyrjes ringritja e banjove dhe terracës mbi to, as nuk është aprovuar nga IKTK dhe as nuk përfshihet në projekt e kontratë!
Elementet e tjerë si një kullë metalike, një copë rrethimi, një portë dhe një fragment kangjelle të përfshira në kontratë, do të realizohen vetëm pas zbërthimit të detajuar bazuar në foto e dëshmi historike si edhe do të jenë të çmontueshme në rast ndërhyrjesh të tjera në vijim sipas Planit të Menaxhimit (çdo informacion do të jetë publik).
Çdo përgjegjësi gjatë fazës zbatuese është nën shqyrtim.

Sqarimi i MEKI ka qenë shterrues dhe poashtu masat nga IKTK.

Faleminderit për mirëkuptimin tërë të interesuarve që me të drejtë u alarmuan nga dy foto të punimeve fillestare. Ndjesë për shqetësimin, edhe pse në çdo rast zbatimi do të respektonte projektin dhe kushtet e kontratës!