Dasma e shekullit mes luksit dhe protestave, Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez martohen në një ceremoni përrallore në Venecia
Venecia po jeton ditë të jashtëzakonshme me dasmën më të komentuar të vitit: Jeff Bezos, dhe e fejuara e tij, gazetarja dhe pilotja Lauren Sanchez, pritet të kurorëzojnë dashurinë e tyre në një ceremoni madhështore që do të zgjasë disa ditë dhe do të përfshijë ngjarje të një festivali të vërtetë luksi.
Përgatitjet kanë pushtuar qytetin që prej fillimit të javës, ndërsa rreth 250 të ftuar kanë zbarkuar në Aeroportin “Marco Polo” me avionë privatë dhe valixhe të mbushura me veshje për evente të shumta me kode të ndryshme veshjeje, nga festa me pizhame deri te darka gala. Festimet do të përfundojnë më 29 qershor.
Ceremonia dhe aktivitetet e dasmës zhvillohen kryesisht në hotelin luksoz Aman Venice, i vendosur në Palazzo Papadopoli, një rezidencë shekullore me pamje nga Kanali i Madh, i rezervuar ekskluzivisht për çiftin dhe të ftuarit. Ky është i njëjti vend ku u organizua dasma e George Clooney me Amal Alamuddin në vitin 2014. Hoteli ofron 24 suita me afreske të Tiepolo, oxhaqe Sansovino dhe ambiente që reflektojnë shkëlqimin e Rilindjes, me çmime që arrijnë deri në 3,500 euro për natë.
Ndërkaq, hotelet e tjera luksoze janë gjithashtu rezervuar për këtë rast të rrallë.
PROTESTA NË SHESHIN E SHËN MARKUT
Por jo gjithçka po kalon pa polemika. Në Sheshin e Shën Markut, rreth njëzet protestues u mblodhën për të kundërshtuar këtë dasmë që përfaqëson, sipas tyre “ekstravagancën miliarderësh në një botë në krizë”. Protestuesit mbanin pankarta me slogane kundër Bezos dhe vizatime që ironizonin pasurinë e tij, duke kërkuar gjithashtu paqe në Gaza.
Dy të rinj të veshur si “nuse dhe dhëndër” qëndruan në një piedestal simbolik, ndërsa një vajzë dhe një djalë tentuan të ngjiteshin në shtizat e flamujve përpara Bazilikës së Shën Markut. Ata u ndaluan nga policia, u shoqëruan për identifikim dhe rezistuan paqësisht duke u shtrirë përtokë.
Mes luksit të tepërt dhe zërave kritikë, Venecia është bërë skena e një spektakli që ndërthur dashurinë, pasurinë dhe sfidat sociale të kohës.