“Dashuria jonë nuk njeh kufij mes botëve” – Edlira Çepani kujton përvjetorin e martesës me Gert Bogdanin

Aktivistja e njohur Edlira Çepani ka prekur ndjekësit me një dedikim të ndjerë për bashkëshortin e saj të ndjerë, Gert Bogdani, në 15-vjetorin e martesës së tyre. Në një postim emocional në rrjetet sociale, Edlira ka ndarë një foto nga dita e dasmës dhe ka rikujtuar me fjalë prekëse rrugëtimin e përbashkët me Gertin, i cili ndërroi jetë pak muaj më parë pas një infarkti kardiak në moshën 44-vjeçare.

“Rrugëtimi ynë ka pasur kaq shumë bekime, lumturi, sakrifica e kaq shumë dashuri si ato që rrallë gjenden në rruzull. Rrugëtimi ynë nisi me ne të dy dhe u kurorëzua me Ajrën dhe Reinartin, si frytet e çdo gjëje të bukur që kishim krijuar bashkë,” shkruan Edlira në postimin e saj.

Ajo shton se, edhe pse Gerti nuk është më fizikisht pranë tyre, dashuria që kanë ndarë do të jetë gjithmonë e gjallë.

“Sot s’të kemi dot në krahun tonë fizikisht, por rrugëtimi ynë do të vazhdojë përjetë, sepse dashuria që krijuam nuk njeh kufij mes botëve. Ti do të jesh gjithmonë drita në rrugën tonë, Gerti Bogdani! Gëzuar përvjetorin e 15 viteve martesë, do të të duam gjithë jetën, zemra jonë!” – përfundon dedikimin e saj Çepani.