Gjykata e Korçës ka dhënë vendimin për 4 të akuzuarit për vrasjen e Martin Çeços, i cili u gjet i pajetë në një rezervuar në fshatin Kolanec të Maliqit, më 12 qershor 2022. Sipas vendimit të gjykatës, të pandehurit janë dënuar për veprën penale “Vrasje me paramendim”.
Dënimet e dhëna nga gjykata:
• Valter Mollaj – 25 vjet burg
• Edlir Mollaj – 23 vjet burg
• Martina Pajollari – 20 vjet burg
• Blendi Angjo – 15 vjet burg
Pavarësisht këtij vendimi, mbrojtja ka deklaruar se do të apelojë vendimin, duke pretenduar se nuk ka prova të mjaftueshme që lidhin të akuzuarit me vrasjen.
Si ndodhi krimi
Martin Çeço u gjet i mbytur dhe i hedhur në rezervuar, dy ditë pasi kishte humbur kontaktet me familjen. Pas hetimeve, policia arrestoi disa persona si të dyshuar, përfshirë Valter dhe Edlir Mollaj, kushërinj nga Kolaneci, si dhe bariun e tyre, Blendi Angjo.
Sipas prokurorisë, shkak për vrasjen ishte një lidhje që viktima kishte me Martina Pajollarin, e cila dyshohet se e kishte nxjerrë në pritë Çeçon.
Megjithatë, mbrojtësit e të pandehurve argumentuan se nuk janë paraqitur prova konkrete që të vërtetojnë përfshirjen e tyre në vrasje. Ata pretendojnë gjithashtu se nuk janë siguruar prova teknologjike që të tregojnë kontaktet midis viktimës dhe të akuzuarve.
Gjykata, megjithatë, vendosi dënimin për të katër të pandehurit, ndërsa pritet që çështja të vazhdojë në Gjykatën e Apelit.