Deputeti Dashnor Sula ka njoftuar se do të përfaqësojë demokratët e Elbasanit në Parlamentin e ardhshëm nën siglën e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.
Ai shprehu mirënjohjen për liderët e rinj të koalicionit dhe falenderoi ata që e ftuan të kandidojë për zgjedhjet e 11 majit. Sula tha se për 20 vjet ka dhënë kontribut të pa kushtëzuar për Partinë Demokratike, por nuk mund të lejonte që kontributi i tij të hidhej poshtë për shkak të mbështetjes për reformën në drejtësi dhe SPAK.
Ai theksoi se do të mbetet “SPAK-ist” edhe në Parlamentin e ardhshëm.
Reagimi i Dashnor Sulës:
Të dashur miq!
Jam i lumtur t’u njoftoj se demokratët e Elbasanit do ti përfaqësoj në Parlamentin e ardhshëm nën siglën e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.
U jam shumë mirënjohës Adriatik Lapaj, Endri Shabani dhe Pano Soko, këtyre djemve të rinj dhe të papërfolur, që më ftuan të kandidoj në zgjedhjet e 11 majit. Unë i falenderoj dhe shpreh mirënjohje edhe për drejtuesit e forcave te tjera politike që për etikë nuk po i përmend që më ftuan të bashkohesha në ekipin e tyre pas medalies që më dhanë si “SPAKIST”. Mendoj se Shqipëria Bëhet dhe bëhet vetëm me djem të rinj.
Nga sot, do të nis takimet me përkrahësit e mi, të cilët edhe në një ditë shumë të vështirë si ajo e djeshmja, më qëndruan pranë dhe më mbështetën.
U kërkoj ndjesë të gjithë atyre që nuk kam arritur tu përgjigjem, ju falenderoj përzermërsisht për fjalët.
Kam sakrifikuar kohën time, i kam hyrë në hak familjes sime dhe fëmijëve të mi, për të punuar cdo ditë për PD-në, por nuk mund të lejoja që kontributi im të hidhej në koshin e plehrave vetëm se kam shprehur mbështetjen time të palëkundur për institucionet e reformës në Drejtësi. Po e them që tani, SPAK-ist do të jem edhe në Parlamentin e ardhshëm sepse besoj që po i bën vendit një shërbim që kjo klasë politike nuk ka arritur tia bëjë në 35 vite.