Dashnor Sula: Institucionet nuk raportuan në Kuvend, opozita të kallëzojë penalisht kryetarët e komisioneve
Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka ngritur akuza të forta në parlament, duke kërkuar marrjen e përgjegjësive nga kryetarët e komisioneve parlamentare dhe institucionet që nuk kanë përmbushur detyrimin për të raportuar në Kuvend.
Në fjalën e tij, Sula deklaroi se raportimi i institucioneve para Kuvendit duhej të ishte kryer brenda afatit ligjor deri në fund të qershorit, por kjo nuk ka ndodhur. Ai i cilësoi këto mosveprime si shkelje të hapura të ligjit dhe kërkoi nga opozita që të mos qëndrojë pasive.
“Në parlament duhet të raportonin institucionet. Opozita të bëjë kallëzim penal për kryetarët e komisioneve parlamentare, sepse kanë shkelur ligjin, duke kryer veprën ‘shpërdorim detyre’. Institucionet duhet të raportonin deri në qershor dhe tani jemi në korrik. Opozita, nëse nuk bën teatër, duhet të reagojë dhe të bëjë kallëzim penal,” u shpreh Sula.