Dash Sula tregon prapaskenat në PD, akuzon Noken dhe Vokshin për thashethemnajë për Berishën
Deputeti Dashnor Sula ka reaguar ashpër ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe deputetes Albana Vokshi, pasi u la jashtë listës së kandidatëve për zgjedhjet e 11 Majit.
Sula ka akuzuar këta dy persona si ata që “gatuajnë një thashethemnajë për Berishën”. Sipas tij, Noka dhe Vokshi janë dy personat që ngrejnë pluhur dhe bëjnë “tornadon” për ish-kryeministrin, duke e përdorur si një lëndë për diskutime, ndërkohë që Berisha, sipas Sulës, është i plotfuqishëm dhe duhet të ketë kontrollin e situatës.
“Zoti Berisha ka arritur në një moment që të kuptojë çfarë po gatuhet përreth tij,” tha Sula. “Këta janë dy njerëzit dhe të tjerë aty që gatuajnë një thashethemnajë, ose ngrejnë pluhurin, ose tornadon për zotin Berisha. Kjo nuk është çështje as lëpirje as fresku që i bëjnë zotit Berisha, por gjënë më të madhe e kam nga këta.”
Sula gjithashtu ka zbuluar prapaskenat që ndodhin në Partinë Demokratike, duke folur për një grup në WhatsApp ku deputetët shpesh diskutonin më shumë për ditëlindje e festa sesa për punët e partisë.
“Është një grup WhatsApp-i, aty më shumë deri tani shkruhej për ditëlindje, për festa, sesa për punë partie. Komplimentohenin njëri-tjetrin,” tha ai. “Unë zotit Berisha nuk i kam çuar mesazh për ditëlindje. Thashë kur nuk i kam çuar këto tre vjet, pse duhet ta bëj tani.”
Në fund, Sula theksoi se kur ka kuptuar se diçka nuk po shkonte në këtë situatë, duke pohuar se ishte e pamoralshme që të paktën nuk ishte informuar më parë për vendimin përjashtues të listës.
“Është e pamoralshme që të paktën nuk m’u kërkua apo nuk m’u tha përpara që do ishte ky vendim,” tha ai. “Aty kuptova që diçka nuk po shkon.”