Dalin SMS-të/ Mentor Mezini komunikonte me vëllezërit Klajdi , Endri dhe Astrit Merkaj! Kulla te Liqeni u shit pas hetimeve të SPAK
Mentor Mezini është emri i radhës në përgjimet e SKYECC dhe Encrochat. Në hetimin e SPAK, që prokuroria e posaçme ka nisur ndaj tre vëllezërve beratas, Astrit, Endri dhe Klajdi Merkaj shfaqet edhe Tor Lushnjari.
Përveç tre vëllezërve nën hetim janë edhe familjarët e tyre dhe rrethi shoqëror, pasi ka dyshime se mund të kenë fshehur pasurinë në emrin e tyre.
Te rrethi shoqëror del edhe Mentor Mezini. Ai është i njohur si biznesmen në botën e ndërtimit, por edhe investitor strategjik.
Lëvizja e parë është nxjerrja në shitje e aksioneve të kompanisë “Blue Bay Shpk”, që zotëron statusin e investitorit strategjik të “Drymades Beach Resort”.
Mezini ka nënshkruar një kontratë shitjeje me kusht të aksioneve që zotëron në këtë kompani në vlerën e mbi 10 milionë eurove.
Gjithashtu, ai është tërhequr, të paktën përkohësisht nga projekti për ndërtimin e kullave në zonën e Liqenit Artificial të Tiranës.
Lejet te diga e liqenit ia ka shitur biznesmenit Armand Lilos, pronari i kompanisë “ArlisNdërtim”
SPAK është duke e hetuar edhe për faktin se ka qenë pjesë e grupit të Dizdarit dhe Rexhepit, ndërsa aktualisht ka lidhje të forta me politikën dhe ortakëri të qëndrueshme me biznesmenë të mëdhenj në vend..
Në dosjen hetimore në dorë të prokurorëve të posaçëm janë materiale foto, vend-takime biseda të përgjuara me politikanë dhe biznesmenë të njohur.
“Tor Lushnjari” deri para pak kohësh ruhej nga truproje, pjesë e forcave RENEA, të cilët janë larguar tashmë pas nisjes së hetimeve të thelluara nga ana e SPAK.
Ndaj efektivëve në fjalë, prokuroria e posaçme ka hapur një tjetër dosje për të zbuluar se si ka ndodhur që punonjës të strukturave të ngarkuara për zbatimin e ligjit ndryshuan kah dhe u vunë në mbrojtje të një emri të dyshuar si trafikant droge.