Cristiano Ronaldo shmang udhëtimin në Iran, rrezikonte 100 goditje me kamxhik

Ylli portugez, Cristiano Ronaldo, nuk ka udhëtuar me skuadrën e tij Al Nassr drejt Iranit për ndeshjen e Ligës së Kampioneve të Azisë. Arsyeja e mungesës së tij lidhet me një incident të ndodhur në vitin 2023, i cili mund ta vinte përballë një dënimi të rëndë nga autoritetet iraniane.

Gjatë një vizite të mëparshme në Iran, Ronaldo kishte bërë një gjest miqësor ndaj një artisteje iraniane me aftësi të kufizuara, duke e puthur në ballë gjatë një takimi me fansat në hotelin e skuadrës. Ky veprim, sipas ligjeve iraniane, mund të konsiderohej si “tradhti bashkëshortore” dhe të ndëshkohej me 100 goditje me kamxhik.

Pavarësisht se klubi iranian Esteghlal dha garanci për sigurinë e Ronaldos, Al Nassr vendosi ta shmangte çdo rrezik të mundshëm, duke mos e përfshirë në skuadrën që udhëtoi drejt Iranit. Zyrtarisht, klubi saudit deklaroi se mungesa e tij lidhet me një dëmtim.

Ky vendim vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Arabisë Saudite dhe Iranit janë përmirësuar ndjeshëm, por rregullat strikte të vendit kanë bërë që Ronaldo dhe klubi i tij të mos rrezikojnë një përballje të mundshme me autoritetet iraniane.