Cristiano Ronaldo nuk ndalet: Gati të luajë deri në moshën 42 vjeç!

Edhe pse shumë e menduan se aventura e tij në futbollin profesionist po i afrohej fundit, Cristiano Ronaldo është gati të surprizojë sërish. Superylli portugez pritet të rinovojë kontratën me Al Nassr deri në vitin 2027, duke qëndruar aktiv në fushë deri në moshën 42-vjeçare.

Ronaldo aktualisht ka një kontratë që skadon më 30 qershor 2025, por sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, të dyja palët janë në bisedime të avancuara për vazhdimin e bashkëpunimit. Nëse kjo ndodh, ai do të shënojë një tjetër rekord në karrierën e tij të gjatë e të lavdishme.

Me një pagë vjetore që shkon deri në 200 milionë euro, CR7 ka qenë produktiv në fushë: në 105 ndeshje me Al Nassr, ai ka shënuar 93 gola dhe ka dhënë 19 asistime. Megjithatë, deri më tani, nuk ka arritur të fitojë ndonjë trofe madhor me klubin saudit.

Ndërkohë, Al Nassr ndodhet përballë një tjetër ndryshimi të madh, pasi trajneri italian Stefano Pioli është zyrtarizuar si i larguar. Klubi është në kërkim të një emri të ri për stolin teknik.

Konfirmimi i rinovimit pritet të bëhet publik në ditët në vijim, por një gjë është e sigurt: Ronaldo nuk e ka thënë ende fjalën e fundit në futbollin botëror.