Cristiano Ronaldo firmos kontratën më të shtrenjtë në histori! Mbi 500 milionë euro për dy vite me Al Nassr
Cristiano Ronaldo ka thyer çdo rekord në botën e sportit duke firmosur kontratën më të shtrenjtë të të gjitha kohërave me klubin saudit Al Nassr, me të cilën do të përfitojë një shumë marramendëse që kalon 500 milionë euro në dy vite.
Sipas “SunSport”, marrëveshja e re e portugezit përfshin një sërë përfitimesh të jashtëzakonshme, duke e kthyer atë në futbollistin më të paguar në historinë e sportit botëror.
Detajet e kontratës:
-Pagë vjetore: 178 milionë paund.
-Bonus firmosjeje: 24.5 milionë paund, me mundësi të rritjes deri në 38 milionë paund në rast se aktivizohet viti i dytë.
-Aksione në klub: 15% të aksioneve të Al Nassr, me vlerë rreth 33 milionë paund.
-Bonuse sportive: 4 milionë paund nëse fiton “Këpucën e Artë” dhe 8 milionë paund nëse Al Nassr shpallet kampion.
-Shërbime personale: Ronaldo do të ketë në dispozicion 16 punonjës personalë – përfshirë 3 shoferë, 4 pastruese, 2 kuzhinierë, 3 kopshtarë dhe 4 roje sigurie.
-Shpenzime për jetën luksoze: 1.4 milionë paund në vit për mbajtjen e stafit dhe 4 milionë paund për përdorimin e avionit privat.
-Marrëveshje sponsorizimi: Deri në 60 milionë paund nga kompani të ndryshme saudite.
Ky rinovim është konsideruar prioritet absolut nga autoritetet saudite, të cilët e shohin Ronaldon jo vetëm si lojtar, por si ambasador strategjik të futbollit në Arabinë Saudite, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e imazhit të kampionatit dhe tërheqjen e yjeve e sponsorëve ndërkombëtarë.
“Ai është fytyra e ligës. E tërheq vëmendjen, yjet, sponsorët. Pa të, një pjesë e madhe e së tashmes dhe së ardhmes së kampionatit do të binte,” u shpreh një zyrtar i lartë saudit për SunSport.