Çmontohet rrjeti ndërkombëtar i trafikut të drogës, Europol! Sekuestrohen 6 ton kokainë dhe 6 milionë euro! Shqiptarë, bullgarë, spanjollë dhe kolumbianë mes të arrestuarve

Organizata Europiane për Luftën Kundër Krimit, Europol, në bashkëpunim me autoritetet spanjolle, ka shkatërruar një rrjet kriminal ndërkombëtar të trafikut të drogës, i cili operonte në disa shtete dhe përfshinte shtetas shqiptarë, bullgarë, spanjollë dhe kolumbianë.

Gjatë operacionit antidrogë, që nisi hetimet në qershor 2022, autoritetet sekuestruan 6 ton kokainë dhe 6 milionë euro cash, duke goditur rëndë këtë grup të organizuar. Hetimi përfshiu disa vende, përfshirë Bullgarinë, Kolumbinë, Kosta Rikën dhe Panamanë.

Roli i anëtarëve të rrjetit:

•Shqiptarët, të vendosur në Dubai, vepronin si financues dhe organizatorë kryesorë, duke siguruar paratë për blerjen e drogës nga prodhuesit kolumbianë.

•Kolumbianët trajtonin dërgesat nga Amerika e Jugut drejt Evropës.

•Bullgarët, spanjollët dhe kolumbianët mbikëqyrnin marrjen dhe shpërndarjen e mëtejshme të drogës në Evropë.

Anëtarët e rrjetit përdornin punëtorë të korruptuar për të fshehur kokainën në kontejnerë dhe për ta nxjerrë gjatë natës nga portet. Grupi kishte kapacitet për të trafikuar deri në një ton kokainë në javë, ndërsa të ardhurat e përfituara pastroheshin përmes bizneseve të ligjshme dhe të paligjshme.

Operacioni u zhvillua në tre faza midis dhjetorit 2024 dhe janarit 2025, duke çuar në:

•22 arrestime në Spanjë;

•27 bastisje në banesa dhe prona të tjera;

•Sekuestrimin e 6.5 milionë eurove cash, 35 automjeteve, përfshirë 8 makina luksoze me vlerë rreth 2.5 milionë euro;

•48 armë, orë dhe stoli luksoze me vlerë 1.5 milionë euro;

•53 llogari bankare të ngrira.