Itali/ Xhaxhai i besoi nipit shqiptar drejtimin e trafikut të drogës me 5 mln euro fitime, në hetim dhe një 90-vjeçar
Pesë persona, katër me kombësi shqiptare dhe një me kombësi tuniziane, të gjithë të moshës nga 30 deri në 50 vjeç, janë arrestuar për trafik ndërkombëtar droge.
Hetimi i kryer nga policia e Bolonjës së bashku me Drejtorinë Antimafia të Qarkut të Bolonjës, ka rikonstruktuar veprimtarinë e grupit kriminal që ka çuar në dhënien e masave paraprake të burgut për krimin e shoqërimit me qëllim trafikimin e paligjshëm të narkotikëve me rrethanë rënduese të disponueshmërisë së armëve.
Në total janë 19 persona nën hetim, mes të cilëve edhe një korrier italian gati 90-vjeç.
Sipas policisë, pesë të arrestuarit dyshohet se kishin importuar drogë nga Holanda. Vetëm në periudhën prill-nëntor 2020, grupi dyshohet se ka sjellë në Itali 41,5 kilogramë kokainë, 76,5 kilogramë marihuanë dhe 280 kilogramë hashash. Vlera ekonomike e këtyre ngarkesave të lëndëve narkotike, sipas vlerësimeve të policisë, mund të llogaritet në 5 milionë euro.
Aktiviteti hetimor, siç rrëfen në një konferencë shtypi nënkomisarja, Natalia Riga, ishte e gjatë dhe komplekse. Vështirësia më e madhe ishte përdorimi i komunikimeve të koduara midis anëtarëve të grupit kriminal, të cilët përdornin ‘kriptofona’ të ofruara nga rrjeti i komunikimit Sky Ecc. Bëhet fjalë për telefona celularë të ngjashëm me telefonat inteligjentë të zakonshëm që përdorin sistemin Android, por të modifikuar me përmirësime në mënyrë që ata që i përdorin të mund të komunikojnë në një mënyrë pak a shumë të sigurt. Ndryshimet mund të kenë të bëjnë me mikrofonat apo sensorët GPS brenda telefonave të cilët hiqen dhe që në fakt mbrojnë përdoruesin nga përgjimet e mundshme. Sistemi Sky Ecc përdoret gjithashtu nga përdoruesit që e përdorin atë për qëllime të ndershme, si politikanët apo gazetarët që punojnë në kontekste të pasigurta, por shumica e përdoruesve e përdorin atë për qëllime kriminale.
Kreu i grupit kriminal u identifikua si një burrë rreth të dyzetave, me origjinë shqiptare, i cili gjatë hetimeve ishte banues në provincën e Bolonjës. Ai vendosi gjithçka: përcaktonte importet dhe cilësinë e drogës, zgjidhte korrierët dhe kush do t’i transportonte paratë në Shqipëri, ku më pas riinvestoheshin. Gjatë hetimeve, megjithatë, ky shtetas u largua nga Italia, duke u zhvendosur në provincën e Barcelonës, ku u arrestua. Më pas komanda e bandës kaloi në duart e nipit të tij, gjithashtu me origjinë shqiptare, banues në provincën e Bolonjës, i cili komandën e bandës e ‘trashëgoi’ nga xhaxhai i tij.