Çmontohen “skifterët” në Spanjë! 6 të arrestuar për 40 grabitje në banka dhe farmaci, mes tyre shqiptarë dhe kosovarë
Autoritetet spanjolle kanë shkatërruar një grup kriminal të specializuar në grabitje të farmacive dhe bankave, duke arrestuar gjashtë persona me kombësi shqiptare, kosovare dhe bullgare. Ata akuzohen për më shumë se 40 vjedhje në provincat e Alicante, Murcia dhe Valencia.
Operacioni, i realizuar nga Garda Civile dhe Policia Kombëtare, përfundoi me arrestimin e anëtarëve të grupit pas muajsh hetimesh dhe shtatë kontrolleve në disa qytete të Spanjës.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi 7000 euro cash, një pistoletë bosh, veshje të përdorura në grabitje, vegla për hapjen e kasafortave, pajisje GPS, një makinë për klonimin e çelësave të automjeteve, një jelek taktik të Policisë italiane dhe pesë automjete të përdorura në krime.
Të arrestuarit kanë precedentë penalë në Spanjë, ndërsa njëri prej tyre kishte një urdhër ndalimi të hyrjes në vend, dhe një tjetër rezulton të ketë një rekord për vrasje në Ukrainë. Hetimet vijojnë për të zbuluar të tjera përfshirje të grupit në aktivitetet kriminale.