Çmimet e reja të referencës, “Vollga” në Durrës dhe Sazani më të shtrenjtët në Shqipëri….(përveç Tiranës)
Ashtu si dy vite më parë në muajin korrik 2023 kur qeveria miratoi rritjen e çmimeve të referencës për 32 zonat kadastrale të Tiranës deri më 76%, nga Ministria e Financës janë propozuar çmime të reja të referencës për të gjitha rrethet në rang vendi deri në 3-fishim të tyre në Durrës.
Në projektligjin “Për miratimin e metodologjisë, rregullave dhe procedurave për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”, llogaritjen e taksës mbi ndërtesën dhe pagesën e saj”, propozohet ndryshimet e çmimeve të referencës për të gjitha qarqet e Shqipërisë, përjashtuar 32 zonat kadastrale të Tiranës dhe njësitë administrative, çmimet e të cilave ndryshuan në muajin korrik 2023.
Projektligji është publikuar në konsultimet publike nga Ministria e Financave dhe parashikohet të nisë zbatimin nga 1 janari 2026.
Ndryshimet më të larta të çmimeve të referencës propozohen për Qarkun e Durrësit në vlerën e 200,000 lekëve për metër katror për zonën kadastrale nr.13 nga 67,500 që ishte më parë çmimi i vetëm i referencës së shitblerjes së apartamenteve në Durrës. Kjo zonë është në Portin e Durrësit, ku po ndërtohet projekti i Marinës së Jahteve.
Referuar tabelave të publikuara në projektligj dhe referuar çmimeve të referencës të miratuara në 2019, në Durrës çmimet e referencës janë deri trefishuar.
Për Durrësin dhe shumë qytete kryesore të Shqipërisë, Ministria e Financave ka propozuar për disa ndarje zonash kadastrale me çmime të ndryshme, nga një çmim të vetëm që kishin më parë të gjitha rrethet. Diferenca bëhej vetëm me kryeqytetin, i cili është i ndarë në 32 zona kadastrale. Çmimi më i lirë në Durrës është propozuar për zonën kadastrale 8 në vlerën 45 mijë lekë për metër katror.
Ndërsa në zonën 6 është propozuar çmim 140 mijë lekë për metër katror, për zonën 1 çmimi i propozuar është 124 mijë për metër katror dhe zona 10 kadastrale do të jetë me referencë 100 mijë lekë.
Rritje e konsiderueshme e referencave krahasuar me 2019 është propozuar edhe për bashkinë Kamëz. Nga 52 mijë lekë për metër katror që ishte çmimi në 2019 është propozuar në 72 mijë lekë për metër katror. Rritje 44%.
Bashkia e Vlorës nga 61,800 lekë për metër katror që ishte çmimi i referencës me propozimet e reja zona e Vlorës ndahet në 7 zona kadastrale me çmime që variojnë nga 45 mijë, 140 mijë lekë për metër katror dhe ishulli i Sazanit me çmim reference 200 mijë lekë për metër katror. Rritja e çmimeve në Vlorë arrin deri 58,6% krahasuar me 2019.
Ndërsa krahasuar me çmimin e zonës së re përfshihet më vetë për herë të parë siç është ishulli i Sazanit (ku për Vlorën çmimi i propozuar në Sazan është më i larti), rritja rezulton 223%. Në Sazan pritet të ndërtohet projekti prej1.4 miliard euro, nga kompania Affinity Partners e sipërmarrësit Jared Kushner, dhëndri i Presidentit Trump.
Ndërsa çmimi i propozuar për Rradhimën është 90 mijë lekë për metër katror me rritje 45,6% nga çmimi i mëparshëm që ka pasur Vlora. Në Orikum çmimi i ri propozohet 61 mijë lekë për metër katror me rritje 2%.
Saranda propozohet të ndahet në 5 zona kadastrale nga një të vetëm që kishte më parë. Çmimet e reja variojnë nga 65 mijë deri në 100 mijë lekë për metër katror nga 60 mijë që ishte më parë. Rritje rreth 79%.
Në Fier, rritja e çmimeve varion nga 8 në 22%.
Në Elbasan referenca janë shtrenjtuar nga 5 deri në 20%.
Në Korçë, Zona 1 ka shtrenjtimin më të lartë me 44.3%, duke arritur në 70 mijë lekë, nga 48,500 lekë që ishte më parë referenca për gjithë Korçën.
Në Shkodër, Zona 6 është rritur me gati 30% në 70 mijë lekë për metër katror.