Autoriteti i Konkurrencës njoftoi sot se, në kuadër të angazhimit për mbrojtjen e konkurrencës dhe interesave të konsumatorëve, ka vendosur nën monitorim të menjëhershëm në terren çmimet e produkteve të shportës ushqimore gjatë periudhës së festave të fund vitit, me qëllim evidentimin, parandalimin dhe penalizimin e atyre ndërmarrjeve tregtare të cilat abuzojnë me çmimet në shkelje të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”.
Në një njoftim zyrtar, Autoriteti i Konkurrencës shprehet se i siguron qytetarët se do të identifikojë dhe ndëshkojë çdo fenomen të mundshëm të ngritjes artificiale të çmimeve që mund të shkaktohet nga praktikat jo të drejta të konkurrencës.
Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.
Autoriteti i Konkurrencës sjell në vëmendje të rrjeteve të ndërmarrjeve tregtare se, shkelja e ligjit 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme./Monitor