‘Çmenduri’ në Premier League, trajnerët vendosin rekord negativ

Kanë mbetur edhe shumë javë deri në përfundim, por tashmë Premier league e ka vendosur një rekord.

Sezoni 2022-2023 do të mbahet mend gjatë për elitën e futbollit anglez, aq më tepër nga trajnerët. Graham Potter u bë tekniku i 13-të që shkarkohet, me teknikun e Chelsea që mbylli aventurën në Londër pas thuajse 7 muajsh. Vendim që për Premier League është rekordi më negativ në histori, pasi një numër i tillë largimesh nuk kishte ndodhur më parë.

Shkarkimi i Potter, trajnerit më jetëshkurtër tek “Blutë” erdhi në një ditë me atë të Brendan Rodgers nga Lejstër. Largimet e tyre e dërguar në 13 numrin, tre më shumë se sezoni i shkuar, ku u kryen 10 ndryshime në pankinë. 12 prej tyre u shkarkuan nga vetë skuadrat, pasi Potter u largua nga Brighton me destinacion Chelsea me kushtet e tij.

Londinezët kanë pasur edhe dy trajnerë në këtë sezon, së bashku me Southampton dhe Bërnemouth. Trajneri më jetëgjatë mbetet Klopp, që drejton Liverpool prej më shumë se 7 vitesh, ndjekur më pas nga Guardiola me thuajse 7 vite e Thomas Frank i Brentford me 4 vite e 169 ditë.