Çmenduri e Manchester City, “blindon” Erling Haaland me kontratën e pa dëgjuar më parë
Erling Haaland firmos një nga kontratat më të gjata në historinë e futbollit, ndërsa Man City e lidh sulmuesin me një marrëveshje historike
Sulmuesi i Manchester City, Erling Haaland, ka nënshkruar një kontratë të re të jashtëzakonshme me klubin e “Etihad”. 24-vjeçari norvegjez, fillimisht kishte një marrëveshje që përfundonte në verën e vitit 2027, pasi nënshkroi kontratë 5-vjeçare kur u transferua nga Borussia Dortmundit, në korrik 2022.
Tani, sipas raportimeve , Haaland ka nënshkruar një marrëveshje të re që zgjat 9 vite e gjysmë me kampionët në fuqi të Premier League. Kjo kontratë e re do ta mbajë Haaland te Manchester City deri në moshën 34-vjeçare dhe ka hequr të gjitha klauzolat e largimit, që ishin përfshirë në marrëveshjen e mëparshme.
“Jam shumë i lumtur që kam nënshkruar kontratën time të re dhe që mund të pres që të kaloj edhe më shumë kohë në këtë klub të madh. Manchester City është një klub i veçantë, plot me njerëz fantastikë me mbështetës të mrekullueshëm dhe është lloji i mjedisit që ndihmon për të nxjerrë më të mirën nga të gjithë. Unë gjithashtu dua të falënderoj [menaxherin] Pep [Guardiolën], stafin e tij stërvitor, bashkëlojtarët e mi dhe të gjithë në klub pasi të gjithë më kanë ndihmuar kaq shumë në dy vitet e fundit”, tha Haaland.
Shifrat e sakta të përfshira nuk janë bërë ende publike, por thuhet se kjo është një nga “kontratat më fitimprurëse në historinë e sportit”.
Sipas “Capology”, kontrata aktuale e Haaland e bën atë lojtarin e dytë më të paguar te Manchester City, me një pagë prej 375.000 paund në javë, ndërsa Kevin De Bruyne kryeson me 400.000 paund në javë.
Me përfundimin e kontratës së belgut në qershor të këtij viti, Haaland mund të bëhet lojtari më i paguar te Manchester City dhe potencialisht më i paguari në Premier League.