“Çmendet” moti në Turqi! Dëborë e pazakontë në verilindje, zjarre të fuqishme në bregdetin perëndimor

Një kontrast ekstrem moti ka goditur Turqinë në mes të korrikut, duke sjellë reshje të dendura dëbore në verilindje dhe zjarrfikje masive në rajonet turistike perëndimore. Ky fenomen i pazakontë ka alarmuar qytetarët dhe autoritetet, ndërsa sinoptikanët flasin për një situatë të paprecedentë të shkaktuar nga anomalitë klimatike.

Sipas mediave turke, dëbora ka rënë në disa provinca të Anadollisë Lindore, përfshirë Rizen, Trabzonin, Bajburtin dhe Erzurumin, në një shtrirje rreth 100 kilometra. Pamje të transmetuara nga agjencia DHA tregojnë rrugë dhe shtëpi të mbuluara me më shumë se 10 centimetra dëborë, ndërkohë që temperatura në zonë ka rënë ndjeshëm.

“Jam 65 vjeç dhe kam kaluar gjithë jetën në Rize. Është hera e parë që shoh dëborë në korrik,” u shpreh Gjenxha Karafazlioglu për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP). “Ka rënë dëborë për rreth 4 deri në 5 orë. Të moshuarit thonë se një gjë e tillë ka ndodhur vetëm 30 apo 40 vite më parë.”

Ndërkohë, në skajin tjetër të vendit, në një distancë prej rreth 1.600 kilometrash, pjesa perëndimore po përballet me një valë zjarresh të fuqishme, kryesisht në rajonin e Izmirit. Flakët janë nxitur nga thatësira ekstreme dhe erërat që arrijnë shpejtësi deri në 85 km/h, duke vënë në rrezik zonat e banuara dhe resortet turistike.

Meteorologët parashikojnë se temperaturat në perëndim dhe juglindje të vendit do të arrijnë deri në 40°C gjatë fundjavës dhe në fillim të javës së ardhshme. Autoritetet turke kanë lëshuar një paralajmërim edhe për banorët e Ankarasë, ku termometri pritet të kalojë 36°C.