Clinton mbyll vizitën e tij në Shqipëri/“Emri tjetër i Nju Jorkut është West Albania”

Ish presidenti i shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton ka mbyllur vizitën e tij dyditorë ne Shqipëri. Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetin social shkruan se Clinton tashmë është nisur në drejtim të Nju Jorkut.

Rama ka postuar një thënie nga vetë ish presidenti Clinton, i cili e ka cilësuar të jashtëzakonshme pritjen dhe se tashmë emri tjetër i Nju Jorkut është West Albania.

“Ishte e gjitha e jashtëzakonshme! Nuk do doja të ikja sot dhe po iki duke menduar se emri tjetër i Nju Jorkut është West Albania” – Bill Clinton ”, shkruan Rama.

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama uroi që Shqipëria të arrijë t’i tregojë botës për të ardhmen, njëkohësisht shtoi se nuk duhet të nënvlerësojnë asnjëherë veten. Gjatë vizitës së parë në Shqipëri ai shtoi se dikur Shqipëria ishte një derë e zymtë e mbyllur, ndërkohë që sot ka ndryshuar çdo gjë.

“Shumë vende drejtohen nga njerëz që preferojnë dominancën në vend të një bashkëpunimi. Shpresoj që Shqipëria në mënyra të mëdha e të vogla të jetë në gjendje t’i tregojë botës për një të ardhme gjithëpërfshirëse. Do të doja që bota të shoh videot e këtyre fëmijëve. Nuk dua që të nënvlerësoni kurrë veten tuaj. Tani si një njeri që përjeton vendin tuaj ndihet pak më i madh, pak më inteligjent, pak më i gatshëm për të qëndruar. Unë e di që ju ende keni probleme, jemi absolutisht të vetëdijshëm që ka sfida. Pra kështu për mua nuk është thjesht një ditë kur kryeministri dhe populli i dhanë mundësinë një njeriu që nuk është më një drejtues”, u shpreh ai.