ChatGPT i shpëton jetën 40-vjeçares në SHBA: Zbuloi kancerin që mjekët nuk e konstatuan
Një ngjarje e jashtëzakonshme ka “pushtuar” rrjetet sociale, ku Inteligjenca Artificiale, ChatGPT, ka ndihmuar në shpëtimin e jetës së një gruaje 40-vjeçare nga North Carolina, SHBA.
Lauren Bannon kaloi dy vite duke marrë diagnoza të pasakta nga mjekët, teksa përjetonte probleme me lëvizjen e gishtave në mëngjes dhe në mbrëmje. Në fillim të vitit 2024, ajo u diagnostikua gabimisht me artrit reumatoid, ndonëse analizat e saj rezultonin negative për këtë sëmundje.
E dëshpëruar dhe e lodhur nga mungesa e përgjigjeve të sakta, Bannon vendosi t’i drejtohej ChatGPT-së për ndihmë. Inteligjenca artificiale i sugjeroi që simptomat mund të lidhesin me sëmundjen e Hashimotos, një çrregullim autoimun që prek tiroiden.
Pas insistimit të Bannon për të kryer analiza shtesë mbi tiroiden, mjekët zbuluan se ajo vuante nga kanceri. Vetë Bannon shprehet se pa ndërhyrjen e ChatGPT-së, kanceri mund të kishte mbetur i pazbuluar dhe të ishte përhapur në të gjithë trupin e saj.
“U ndjeva e zhgënjyer nga mjekët. Dukej sikur thjesht po përpiqeshin të më jepnin ilaçe për gjithçka, vetëm që të më nxirrnin sa më shpejt nga dera. Nëse nuk do të kisha përdorur ChatGPT, thjesht do të kisha marrë ilaçe për artritin dhe kanceri do të ishte përhapur,” deklaroi Bannon për mediat.
Pas diagnozës, ajo iu nënshtrua një operacioni për heqjen e tiroides dhe dy nyjeve limfatike, dhe aktualisht ndodhet nën monitorim të vazhdueshëm për të parandaluar rikthimin e sëmundjes.