Çfarë po ndodh me VIP-at shqiptarë? Nga sherri i Noizyt në Pejë tek ‘shpërfytyrimi’ i Klea Prengës…

Mbrëmjen e datës 8 shkurt, një blogere 24-vjeçare, e famshme në rrjetet sociale, përmes një postimi në llogarinë e saj në Instagram, bëri një denoncim. Ajo publikoi se ishte dhunuar barbarisht  në një lokal në rrugën ‘Mustafa Matohiti’ në Tiranë, nga dy motrat Mariela dhe Antonela Berisha, kjo e fundit një personazh i njohur në botën e ekranit, si pjesëmarrëse edhe në Reality Show-n, Big Brother Albania VIP.

Prenga bëri publike edhe fotografitë se si dukej pas sulmit të bërë nga motrat. Ato të fundit i kishin shkaktuar të çara në fytyrë, duke bërë kështu që e reja të bënte disa qepje, por nga ana tjetër, duke i shkaktuar një plagë të rëndë, e të përjetshme.

Shkak, të paktën referuar deklaratës së bërë në polici, duket se është bërë një marrëdhënie intime që Klea Prenga dyshohet se kishte krijuar me bashkëshortin e Mariela Berishës.

Policia dhee Prokuroria tashmë kanë shpallur në kërkim dy motrat, që rrezikojnë 10 vite burg për veprën penale të kryer.

Nga ana tjetër janë marrë edhe kamerat e sigurisë në lokalin ku ka ndodhur ngjarja, ku është vërtetuar edhe përfshirja e të dyja motrave.

Prenga ka pasur herë pas here reagime në Instagram, pas asaj që ka ndodhur. E ndërkohë, të shumta kanë qenë edhe reagimet e personazheve të njohur të botës së medias e shoë bizz në vend. Si të paprecedentë e ka cilësuar secili prej tyre, teksa japin edhe mesazhe se jeta e një gruaje nuk duhet të jetë e lidhur vetëm pas një burri.

Kjo ngjarje erdhi vetëm disa ditë pasi Policia e Kosovës, kishte shpallur në kërkim edhe dy reperët e njohur shqiptarë, Noizy e Stresi. Këta të fundit janë personat që shkaktuan dhe u përfshinë në një sherr masiv në Pejë, ku rrahën barbarisht një tjetër rreper dhe personazh i njohur në Tik Tok, Medi.

Noizy u arrestua, ndërsa Stresi vazhdon të jetë në arrati.

Situata të tilla, të përfshirjes së personazheve publikë, në skandale të tilla, japin mesazhe të gabuara për shoqërinë. Këto personazhe kanë në rrjetet e tyre sociale mijëra e miliona ndjekësa, duke përshfaqur e duke u bërë kështu një model i keq për brezin e ri, që shumicën e kohës, i merr shembull e i ka idhull.