Çfarë ndodhi sot në Damask? Izraeli godet me sulme ajrore Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Ushtrisë, ja cili ishte mesazhi

Një valë e re sulmesh ajrore izraelite ka goditur këtë të mërkurë qendrën e Damaskut, në një operacion të konsideruar si një mesazh i qartë për regjimin sirian, për shkak të situatës së përshkallëzuar ndaj komunitetit druzi në Suvejda, në jug të Sirisë.

Sipas mediave shtetërore siriane dhe burimeve ndërkombëtare si Reuters dhe Channel 14 i Izraelit, goditjet kanë pasur në shënjestër ndërtesa qeveritare thelbësore, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Siriane, në afërsi të Pallatit Presidencial në Damask. Këto sulme, të cilat pasojnë një goditje paralajmëruese më herët gjatë mëngjesit, përshkruhen si shumë më të fuqishme dhe të koordinuara.

Tymi dhe panik në qendër të Damaskut

Raportet nga vendngjarja tregojnë për shpërthime të fuqishme, tym të dendur që ka mbuluar zonën përreth dhe rritje të ndjeshme të sigurisë. Agjencia shtetërore SANA konfirmoi se “shumë persona janë goditur nga sulmet”, por nuk ka ende informacion të saktë mbi viktimat apo të plagosurit.

Gazetarë të pranishëm në zonë raportuan momente paniku, ku edhe vetë ekipet mediatike janë detyruar të kërkojnë strehim në kohën e shpërthimeve.

Ushtria izraelite (IDF): Goditëm shtabin e ushtrisë siriane

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) morën përsipër sulmet, duke deklaruar se ushtria “goditi portën hyrëse të shtabit të ushtrisë së regjimit sirian” në qendër të Damaskut, në të njëjtën ndërtesë ku ndodhet Ministria e Mbrojtjes. Sipas IDF, sulmet janë pjesë e një operacioni më të gjerë për të ndëshkuar dhe penguar veprimet ushtarake të regjimit sirian kundër popullsisë druzi në jug të vendit.

Po ashtu, IDF publikoi pamje filmike dhe fotografi nga qendra operative e tyre, ku oficerë izraelitë shihen duke ndjekur zhvillimet në terren në kohë reale.

Paralajmërimi i Izraelit: Mbaruan sinjalet, tani vijnë goditjet e dhimbshme

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi me tone të ashpra se vendi i tij nuk do të qëndrojë pasiv ndaj sulmeve të regjimit sirian ndaj Druzëve në Suvejda. “Sinjalet për Damaskun kanë përfunduar, tani vijnë goditjet e dhimbshme,” deklaroi ai.

Ai shtoi se Izraeli është i vendosur të veprojë ushtarakisht për të mbrojtur komunitetin druzi dhe se sulmet do të vazhdojnë deri në “largimin e plotë të forcave që kanë kryer sulmet”.

Ankaraja reagon: Sulmet minojnë përpjekjet për paqe në Siri

Ministria e Jashtme e Turqisë reagoi ashpër ndaj sulmeve ajrore në Damask, duke i cilësuar ato si kërcënim për stabilitetin dhe përpjekjet për paqe në Siri. Ankaraja akuzon Izraelin se po ndërhyn në mënyrë të rrezikshme në sovranitetin e Sirisë, në një moment kur vendi ka, sipas tyre, një “mundësi historike për të ndërtuar paqe” pas rrëzimit të Bashar al-Asad – një deklaratë që nuk ka ende konfirmim zyrtar nga vetë Damasku.

IDF: Po monitorojmë situatën në Suvejda – Gati për çdo skenar

IDF ka deklaruar gjithashtu se forcat izraelite po monitorojnë nga afër zhvillimet në Suvejda, duke vlerësuar situatën në terren dhe duke përgatitur skenarë të mundshëm ndërhyrjeje për të mbrojtur civilët druzi.

Kjo ndërhyrje vjen në një kohë kur forcat siriane janë vendosur në Suvejda, me justifikimin e kontrollit të trazirave të brendshme, por Izraeli e sheh këtë si një kërcënim të drejtpërdrejtë për komunitetin druzi, që ka lidhje të forta edhe me popullatën druzi brenda territorit izraelit.

Druzët nga Izraeli përpiqen të kalojnë kufirin për të ndihmuar vëllezërit në Siri

Ndërkohë, raporte të shumta në rrjete sociale tregojnë se disa Druzë nga Izraeli po përpiqen të kalojnë kufirin drejt Sirisë për t’u bashkuar me bashkëkomunitarët e tyre në Suvejda dhe për të ndihmuar në përballimin e represionit të ushtrisë siriane.