Çfarë ndodh nëse Berisha nuk paraqitet në SPAK më 20 nëntor

Nesër oficerët e GJKKO do të shkojnë të Sali Berisha për ta njoftuar një javë para se të paraqitet në SPAK, për masat ndaj tij. Refuzimi sërish mund të bëjë që SPAK t’i kërkojë Kuvendit autorizimin për një masë më të rëndë si arrest shtëpie.

SPAK si një nga institucionet më të rëndësishme të drejtësisë së reformuar shënoi rekordin e parë të goditjes së të paprekshmëve në Shqipëri, duke hetuar për korrupsion ish-kryeministrin për dy mandate dhe politikanin më të pushtetshëm të të djathtës, Sali Berisha.

Krahas dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi që përfitoi mijëra m2 tokë të ish-kompleksit Partizani ku ndërtoi 19 kulla shumëkatëshe me firmën e vjehrrit të tij kryeministër, pozita ligjore është e rënduar edhe për Sali Berishën nën hetim për korrupsion pasiv për këtë aferë. Berisha refuzon të zbatojë vendimin e gjykatës që i ka caktuar masën detyrim paraqitje dhe duke u fshehur pas imunitetit parlamentar pretendon se po shkelet Kushtetuta.

Këtë të hënë, 13 nëntor, GJKKO do të bëjë një tjetër tentativë për të njoftuar ish-kryeministrin për masat në ngarkim të tij. Oficerët e GJKKO do tentojnë të njoftojnë Berishën pas disa refuzimeve nga ana e tij. Kjo pasi Sali Berisha duhet të paraqitet para oficeres së SPAK në datën 20 nëntor. Në rast se do të refuzojë edhe në këtë datë atëherë SPAK i lind e drejta për t’ju drejtuar Kuvendit për autorizim për rëndim të pozitës së tij duke kërkuar një masë më të rëndë siç mund të jetë ajo e arrestit në shtëpi.