Çfarë i çoi autorët drejt vrasjes dhe plagosjes në Kurbin? Misteri “mbulon” krimin

Ngjarja e rëndë e ndodhur në fshatin Gurez të Kurbinit, ku një person është vrarë me armë zjarri dhe një tjetër është plagosur, është shumë e paqartë deri më tani.

Nuk ka asnjë informacion se përse autorët vranë shtetasin Selman Mihana, rreth 70-vjeç, ekonomist të një firme private dhe plagosën pronarin e saj, shtetasin Ardjan Gjeloshi, 51-vjeç.

Ndërkohë Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në mbështetje të Policisë kanë shkuar edhe forcat speciale RENEA, të cilat po bëjnë krehjen e zonës, për të indentifikuar dhe arrestuar autorët e ngjarjes së rëndë.

Njoftimi i Policisë:

Kurbin/Informacion paraprak

Rreth orës 07:00, është marrë njoftim se në fshatin Gurez, Kurbin, në ambientet e një firme ku përpunohen inerte, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi S. M,  rreth 70 vjec, ekonomist i firmës, si dhe është plagosur pronari  shtetasi A. GJ, rreth 51 vjec, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjeksore.

Shërbimet e Policisë Vendore kanë shkuar në vendngjarje, është rrethuar zona dhe vijon kontrolli i territorit.

Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Në ndihmë të Policisë vendore kanë shkuar forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Forcat Speciale Renea.

Në një moment të dytë do të ketë njoftim më të plotë në lidhje me ngjarjen.