Çfarë është kaq e rëndësishme në Natanz? Ja pse Izraeli sulmoi pikërisht këtë central bërthamor

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, sulmet ajrore të ndërmarra nga Izraeli mbi territorin iranian kanë rikthyer vëmendjen e botës mbi përplasjen e ashpër mes dy vendeve. Ndër objektivat e goditura, një nga më të spikaturit ishte centrali bërthamor i Natanzit, një objekt strategjik që prej kohësh ka qenë në qendër të tensioneve ndërkombëtare.

Por çfarë e bën Natanzin kaq të rëndësishëm? Centrali i Natanzit është pikërisht zemra e programit bërthamor iranian për pasurimin e uraniumit në shkallë të gjerë – procesi i domosdoshëm për të prodhuar materiale që mund të përdoren si për qëllime civile, ashtu edhe ushtarake.

Edhe pse Irani këmbëngul se programi i tij ka synime paqësore dhe se nuk prodhon uranium të gradës ushtarake, shqetësimet ndërkombëtare nuk kanë munguar.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), rezervat aktuale të uraniumit të pasuruar të Iranit do të mund të rafinoheshin më tej për të ndërtuar, të paktën në teori, deri në nëntë bomba bërthamore.

Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 synonte të frenonte këto zhvillime duke vendosur kufizime të qarta mbi aktivitetet e Iranit në Natanz. Por pas tërheqjes së presidentit amerikan Donald Trump nga kjo marrëveshje në vitin 2018, Teherani ka përshpejtuar ndjeshëm punën në këtë central.

Natanz nuk është për herë të parë në shënjestër të Izraelit. Ai ka qenë objekt i disa operacioneve sabotimi ndër vite, përfshirë një sulm kibernetik të madh në vitin 2010 dhe shpërthime të dyshuara brenda vetë objektit, që sipas mediave ndërkombëtare ishin të orkestruara nga shërbimet sekrete izraelite.