Çfarë është bomba GBU-57, “shkatërruesja e bunkerëve” që mund të zhdukë centralin bërthamor të Iranit? A do ta përdorë Trump?
Ndërsa tensionet mes Izraelit dhe Iranit sa vijnë e shtohen, në qendër të vëmendjes është një armë amerikane: bomba GBU-57, e njohur si “bunker buster”. Kjo bombë 14-tonëshe konsiderohet e vetmja që mund të shkatërrojë objektin e pasurimit të uraniumit në Fordou, i cili ndodhet i fshehur thellë nën një mal dhe i mbrojtur nga tonelata shkëmbinjsh. Deri tani, Izraeli nuk e zotëron këtë armë, që lëshohet vetëm nga bombarduesit amerikanë B-2 “stealth”.
Bombat “bunker buster” janë krijuar për të depërtuar në thellësi të tokës dhe për të shpërthyer brenda strukturave të fortifikuara, si bunkerët apo objektet ushtarake nën tokë. Ekspertët theksojnë se GBU-57 mund të depërtojë deri në 61 metra nën tokë para se të shpërthejë, falë peshës së saj prej 13,600 kilogramësh dhe forcës së madhe kinetike.
Që prej sulmeve të fundit izraelite, janë dëmtuar objekte si Natanz dhe Isfahan, ndërkohë që Fordou mbetet i paprekur. Sipas ekspertëve, për të neutralizuar këtë central, do të nevojitej përdorimi i GBU-57. Izraeli ka të ngjarë të vazhdojë sulmet përmes ndërprerjes së furnizimit me energji ose bombardimeve të tjera, por pa këtë bombë amerikane shkatërrimi i plotë i Fordou mbetet i pamundur.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump ka shprehur publikisht se nuk dëshiron një përfshirje të drejtpërdrejtë të SHBA-së në një luftë të re në Lindjen e Mesme, megjithatë nuk ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës nëse Irani nuk ndalon programin e tij bërthamor. Pyetja që shtrohet tashmë është nëse Shtetet e Bashkuara do të vendosin të përdorin GBU-57, nëse fushata izraelite dështon të arrijë objektivin e saj.