“Çfarë e duam BE-në mor piktor, ne po ikim pa pasaporta”/ Rama- komentuesit: Mllefi, e zeza e të zot!
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj një komentuesi në rrjetet sociale, i cili kishte shprehur skepticizëm për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Komentuesi i shkruante Ramës se shqiptarëve nuk u duhet pasaporta europiane, pasi “po ikin edhe pa të”.
Kreu i qeverisë iu përgjigj duke renditur përfitimet që, sipas tij, sjell integrimi në BE për qytetarët shqiptarë, jo për të ikur, por për të fituar dinjitetin që vjen me të qenët pjesë e një familjeje të barabartë europiane.
“Pasaporta europiane nuk duhet për të ikur se ikën edhe me këtë që kemi, ke të drejtë, por për të fituar dinjitetin e qytetarit europian, që nuk e ndalon njeri te hyrja për ta pyetur me polici se ku po shkon. Dinjitetin e studentit europian që kudo ku studion në Europë gëzon të drejta të barabarta me atë që është lindur dhe rritur atje. Dinjitetin e punëmarrësit europian që kudo ku punon në Europë, gëzon të drejta të barabarta me punëtorët vendas”, shkroi Rama.
Në fund, ai nuk kurseu as një batutë, duke cituar gjyshen e tij:
“Mllefi, e zeza e të zot!”, duke theksuar se përçmimi ndaj përpjekjes për integrim nuk e ndihmon askënd.
Sipas kryeministrit, hyrja në BE do të lehtësojë investimet, veçanërisht për të rinjtë, dhe do të sjellë më shumë mundësi dhe siguri për të gjithë qytetarët.
Edi Rama:
Pasaporta Europiane nuk duhet për të ikur se ikën edhe me këtë që kemi, ke të drejtë, por për të fituar dinjitetin e qytetarit europian që nuk e nxjerrin anash hyrjes për ta pyetur me polic ku po shkon, dinjitetin e studentit europian që kudo se ku studion në Europë gëzon të drejta të barabarta me atë që është lindur dhe rritur në atë vend të Europës.
Dinjitetin e punëmarrësit Europian që kudo ku punon në Europë gëzon të drejta të barabarta me punësmarrësit e lindur dhe rritur në atë vend.
Të përçmosh punën e tjetrit është kollaj por nuk të ndihmon të jetosh më mirë. Gjyshja ime thoshte “mllefi e zeza e t’zot”. Ndërkohë që unë besoj se po të interesoheshe pak më shumë për BE dhe për impaktin e hyrjes në BE mbi vendet dhe qytetarët që kanë hyrë para nesh në atë familje nuk do t’i bije kaq shkurt dhe kaq së prapthi. Edhe krijimi i kushteve ende më të favorshme për të rinjtë që të investojnë në Shqipëri siç të kërkon ty, me hyrjen në BE bëhet më i lehtë se sa me qëndrimin jashtë BE.
Kush e lidh ikjen e njerëzve me qeverisjen tonë ose është kundërshtar, flet mbrapsht të kapë cca të kapë, ose është shumë i keqkuptuar dhe flet pastaj edhe mbrapsht që të ndjehet i mirëkuptuar. Por këtë unë nuk e ndryshoj dot. Ç’ka mund të ndryshojmë është Shqipëria dhe këtë po e bëjmë përditë dhe prandaj Shqipëria nuk ka lidhje fare me atë që ishte. Me të meta? Patjetër me të meta. Me gabime? Pa asnjë dyshim, ama me zemër dhe me përpjekje të pandalshme, prandaj të ftoj të na bashkohesh edhe ti i dashur Kristi, pavarëishst pengesave që sheh përpara, pavarësisht se dikush ose disa mund të të prishin qejfin dhe të bashkohesh jo për mua por për veten, për Shqipërinë në BE. Voto 5-ën te kutia e votimit në 11 maj, të votosh mua dhe PS-në!