Çështja “Toyota Auris”, GJKKO kalon në gjykim dosjen ndaj avokatit Radovan Çela

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur kalimin për gjykim të dosjes penale në ngarkim të avokatit Radovan Çela, në lidhje me çështjen e njohur si “Toyota Auris”, ku në vitin 2018 në Portin e Durrësit u sekuestruan 3.4 milionë euro.

Radovan Çela ka qenë mbrojtës ligjor i Alfred dhe Elvis Vladi, të arrestuar pas sekuestrimit të shumës së madhe në automjetet tip “Toyota Yaris”, ngarkuar në një kamion të ardhur nga Belgjika. Emri i avokatit Çela është përfshirë më pas në një hetim më të gjerë që përfshin edhe ish-Kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, ish-oficeren e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, Erjona Daupaj, dhe shtetasin Astrit Vladi.

Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), të pandehurit akuzohen për një sërë veprash penale, përfshirë korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike dhe nxjerrje të sekretit hetimor. Prokuroria thotë se këta persona kanë bashkëpunuar për të ndikuar në mënyrë të paligjshme tek gjyqtarë dhe prokurorë me qëllim favorizimin e të pandehurve në çështjen e famshme të parave të bllokuara.

Ndërkohë, hetimet janë mbështetur edhe mbi provat e siguruara përmes platformës së komunikimit të enkriptuar Sky ECC, të vëna në dispozicion nga autoritetet franceze.