Çështja e eksportit të një sasie mbetjesh industriale nga porti i Durrësit, maja e një skandali më të madh
Çështja e eksportit të një sasie mbetjesh industriale nga porti i Durrësit, që dyshohet se përmbajnë lëndë të dëmshme helmuese, është kthyer në një histori dyshimesh të shumta, me shumë të panjohura. Një hetim i dyfishtë është duke u kryer nga prokuroria e Durrësit në Shqipëri dhe nga zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, në Bruksel, mbi 100 kontejnerë të bllokuar së fundmi në Singapor, me origjinë nga porti i Durrësit.
Organizata jo qeveritare amerikane ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ i tha Zërit të Amerikës, se ajo është e bindur se porti i Durrësit, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera më parë është shfrytëzuar për të nxjerrë nga Shqipëria, rajoni dhe me gjasë edhe nga vende të tjera evropiane, mbetje të rrezikshme helmuese drejt disa vendeve aziatike. Kolegu Artan Haraqija sjell kronikën në vijim.
Nga Porti i Durrësit, çdo tre apo katër muaj është eksportuar një material që dyshohet se është pluhur helmues i njohur si ‘EAF’, që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike. Ky është pretendimi i Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN), me seli në Seattle. Përfaqësuesi i tij, Jim Puckett i tha Zërit të Amerikës se të dhënat që BAN-i disponon janë marrë nga një sinjalizues nga Porti i Durrësit, i cili ka ofruar dëshmi për këtë.
“Para një muaji, ne krijuam një portal, ku individë nga e gjithë bota mund të raportojnë për mbetjet helmuese. Personi i parë që na sinjalizoi ishte një individ që vëzhgoi transportin e mbetjeve helmuese në portin e Durrësit. Ai kishte njohuri se ku shkonte pluhuri helmues dhe dokumentet që tregonin rrugëtimin e ngarkesave”.
Pas marrjes së të dhënave BAN-i thotë se ka kryer hulumtimin e veta dhe arrin në përfundimin se dërgesa të kësaj natyre bëhen rregullisht nga porti i Durrësit.
“Ne ishim në gjendje të konfirmojmë se kontejnerët që raportoi sinjalizuesi, numrat e tyre identifikues, i vërtetuam përmes aplikacionit ‘Google Earth’, po ashtu përmes imazheve satelitore të Google Earth, lokalizuam vendndodhjen e tyre të saktë duke e krahasuar me dritat dhe rrugët e portit. Kemi tre burime të dhënash të marra në tre kohë të ndryshme. Ne dyshojmë se kjo ndodh çdo tre apo katër muaj.”