Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, do të jetë i pranishëm në ceremoninë e varrimit të kryepeshkopit Anastas Janullatos në Tiranë.
Kreu i qeverisë greke do të mbërrijë të enjten në Shqipëri.
Në vendin tonë pritja e trupit të Kryepiskopit të ndjerë do të bëhet para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, më 28 janar në orën 16:00. Homazhet do të mbahen brenda tempullit gjatë asaj pasditeje dhe të mërkurën, datë 29 janar 2025. Shërbesa e varrimit do të kryhet ditën e enjte, datë 30 janar, ora 11:00, pas Liturgjisë Hyjnore.
Me vendim të Sinodit të Shenjtë të Kishës së Shqipërisë, e cila mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme mëngjesin e së shtunës, Mitropoliti i Korçës, Joani, u zgjodh Mbikëqyrës i Fronit të Kryepeshkopit. Sinodi i Shenjtë shpalli gjithashtu pesë ditë zie kishtare nga 25 deri më 29 janar.
Trupi i ndjerë i Kryepeshkopit do të qëndrojë në Katedralen e Shenjtë të Athinës, ku do të vendoset për nderime publike deri në orët e mëngjesit të së hënës, kur do të dërgohet në Shqipëri. Në vendin tonë pritja e trupit të ndjerë do të bëhet para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, më 28 janar në orën 16:00.
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25 janar 2025 në spitalin ‘Ungjëllizimi’ në Athinë ku ishte i shtruar prej 3 janarit.