Ceno Klosi dorëhiqet pasi e merr nën hetim SPAK

Ceno Klosi dorëhiqet nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve. Vendimi ka ardhur ditën e sotme, ndërsa Klosi qëndronte në këtë detyrë prej të paktën 3 vitesh.

Ai është akuzuar si një ndër zyrtarët e lartë më të korruptuar. Ndaj Klosit ka pasur një hetim nga SPAK, pas dy denoncimeve të PD-së.

Por pas zbulimit të konfliktit të interesit dhe falsifikimit të formularit të vetdeklarimit nga Klosi, nga Anglia zbulohen fakte të reja që rënduan mbi zyrtarin e lartë të tatimeve, që është konsideruar si një nga të besuarit e Belinda Ballukut, zv.Kryeministre.

“Vetting” ka siguruar nga burime konfidenciale informacione të cilat zbulojnë se Klosi është njëri nga tre pronarët e një hoteli prestigjioz në Londër.

 

“Biznesi në Mbretërinë e Bashkuar në të cilin Klosi zotëron 33% të aksioneve, First Bar Limited, ka në zotërim të drejtën e leasehold për një pub në Surrei- Foresters Arms në Hampton Uick, të cilën e bleu më 31 maj 2019 për 108 mijë paund”, denonconte emisioni investigativ Vetting.

Por si nisën problemet e Klosit me kompanitë në offshoret e Londrës?

Në Janar 2019, Ceno Klosi do të bëhej një nga ortakët e kompanisë “First Bar Limitid” me seli në Londër, së bashku me Redin Dokaj dhe Ritvan Dhamo.

Klosi zotëronte 33% të aksioneve, siç i ka edhe aktualisht, por problemet e tij me këtë kompani do të fillonin kur do të kalonte në krye të AKUM-it.

Në formularin e dorëzuar te Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Klosi nuk do të deklaronte se kishte përfituar kredi në 5 maj 2020 nëpërmjet kompanisë “First Bar Limited” nga bankat britanike.

Nga dokumentet zyrtare, ai nuk ka deklaruar Fondin e Përbashkët të kompanisë me vlerë 33 mijë paund për vitin 2020 dhe me vlerë 121 mijë paund për vitin 2021. Gjithashtu kompania ka patur llogari bankare me vlerë 18 mijë paund në vitin 2020, të cilat janë 4-fishuar në 72 mijë paund në vitin 2021.

Por ky është problemi më i vogël sepse gjërat u komplikuan kur bankieri nga Fieri vendosi të kalonte në krye të Administratës Tatimore. Ngelet mister se si Klosi ka pranuar të marrë një post, i cili me fshehjen e kompanisë do ta vendoste përballë shkeljeve të Kodit Penal.

“Vetting” ka zbuluar se Klosi nuk ka hequr dorë nga aksionet e kompanisë dhe të vetëdeklarimi i formularit të pasurisë.

Akoma më i paqartë ngelet fakti se pse Ceno Klosi nuk dha dorëheqjen nga aksionet e kompanisë në Londër, ku edhe sot e kësaj dite rezulton aksioner në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike. Sipas nenit 22, të këtij ligji, Ceno Klosit i ndalohet që të zotërojë aksione ose pjesë në kapital, si dhe çdo lloj përfitimi tjetër, që nuk buron nga zotërimi pasiv, nga shoqëritë tregtare/Balkanweb