Celibashi vendos: PD nuk regjistrohet për 14 Majin, Basha kryetar…

Në një vendim përfundimtar, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi rrëzoi kërkesën e PD-së për t’u regjistruar në zgjedhjet e 14 majit me Enkeleid Alibeajn të komanduar kryetar. Shkak u bë mungesa e firmës së Lulzim Bashës, ndërsa përfaqësuesi ligjor i grupit Alibeaj paralajmëroi se vendimi do ankimohet. Gjithashtu, Celibashi vendosi përfundimisht edhe mos legjitimimin e Sali Berishës.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka vendosur që Partia Demokratike të mos regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit, pasi nuk ka plotësuar dokumentacionin e nevojshëm.  Celibashi e vlerësoi kusht të panegociueshëm për të regjistruar PD-në në zgjedhje, deklaratën solemne të angazhimit me firmë të Lulzim Bashës, pasi edhe pse ka dhënë dorëheqjen në mars të 2022, është ai figuron në Gjykatën e Tiranës ende si kryetar.

Celibashi sqaroi se deklarata ku përmendet angazhimi për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, është një e drejtë ekskluzive që i takon kryetari dhe kurssesi nuk mund të delegohet në palë të tjera.

“I komanduari i ushtron disa kompetenca të kryetarit, por kurrsesi që nuk i ushtron të gjitha kompetencat dhe përgjegjësit. Në kushtet kur deklarata nuk është nënshkruar nga kryetari i partisë, apo ai që i ushtron ligjërisht atributet, kërkesa për PD nuk ka bazë ligjore dhe nuk duhet të pranohet. Në përfundim. PD nuk mund të regjistrohet në zgjedhje”, vendosi Celibashi.