Celibashi takon Prodën për zgjedhjet e 11 majit! Ja çfarë u diskutua mes tyre

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, zhvilloi një takim zyrtar me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Takimi kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe përgatitjen për zgjedhjet e 11 majit, duke vënë theksin në sigurinë, transparencën dhe respektimin e standardeve demokratike.

Në fokus të diskutimeve ishte roli i Policisë së Shtetit në mbështetje të një procesi zgjedhor të qetë dhe të besueshëm. Drejtori Proda theksoi se Policia do të zbatojë detyrimet e saj ligjore dhe do të ndjekë çdo rast të denoncimit të krimeve zgjedhore. Ai shtoi se askush nuk do të mund të cënojë procesin zgjedhor pa u përballur me pasojat ligjore.

Komisioneri Celibashi gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ata diskutuan masat për parandalimin dhe ndëshkimin e krimeve zgjedhore, forcimin e bashkëpunimit mes Policisë, KQZ-së, SPAK-ut dhe Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe trajtimin e shkeljeve të ligjit zgjedhor gjatë periudhës parazgjedhore dhe në ditën e votimit.