Celibashi sqaron procesin e votimit të Diasporës për zgjedhjet e 11 majit: Si do të funksionojë dërgimi i fletëve të votimit me postë
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, ka dhënë detaje të reja për procesin e votimit të diasporës për zgjedhjet e 11 majit, duke shpjeguar se si do të realizohet shpërndarja e fletëve të votimit me postë.
Në një dalje për mediat nga Pallati i Sporteve “Feti Borova” në Tiranë, Celibashi theksoi se procesi i vulosjes së fletëve të votimit ka nisur dhe do të përfundojë brenda kësaj jave. Ai shtoi se shpërndarja e fletëve do të bëhet gradualisht sipas destinacioneve, me fokus fillimisht në vende si Italia, Greqia, Gjermania dhe SHBA.
Votuesit nga jashtë, tha Celibashi, nuk do të kenë nevojë të shkojnë në zyrat postare për të dorëzuar fletët e votimit. Postieri do të sjellë zarfin me fletën e votimit në shtëpi, dhe nëse nuk e gjen votuesin, do të kthehet për herë të dytë dhe, në rast nevoje, edhe për herë të tretë. Nëse as gjatë tentativës të tretë nuk gjen shtëpinë e votuesit, do të lëshohet një njoftim dhe fletën e votimit mund ta gjeni në zyrën postare.
Celibashi shtoi se çdo zarf i cili mbërrin pas orës 19:00 të 11 majit, nuk do të numërohet. Ai theksoi se procesi është plotësisht profesional dhe përgjegjësia e postierëve është e njëjtë sikur të dorëzonin një dokument tjetër të rëndësishëm.
Nëse procesi përfundon siç është planifikuar, votuesit do të kenë mundësinë ta marrin zarfin e votimit deri në 3 maj, dhe gjithçka do të jetë e sigurt për numërimin e votave.