Celibashi reagon pas denoncimit të Berishës për “trenin bullgar” në Elbasan: Rasti duhet të hetohet…

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka reaguar pas deklaratës së Sali Berishës mbi një rast të supozuar manipulimi zgjedhor në fshatin Pekisht të Elbasanit, të cilin Berisha e cilësoi si pjesë të fenomenit të njohur si “treni bullgar”.

Gjatë një deklarate për mediat, Celibashi u shpreh se KQZ nuk ka dijeni për rastin konkret të përmendur nga Berisha, por theksoi rëndësinë e hetimit të çdo shqetësimi të tillë nga institucionet përkatëse.

“Jo, nuk kemi dijeni, por ajo që mund të them pa hezitim është që rasti duhet të hetohet nga organet e procedimit penal për t’i dhënë përgjigje shqetësimit të paraqitur publikisht,” u shpreh Celibashi para gazetarëve.

Ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi se në lokalin e kryeplakut të fshatit Dervish Beqiri në Pekisht, Elbasan, janë gjetur fletë votimi, lista zgjedhësish dhe shuma të dyshimta parash, që sipas tij përbëjnë dëshmi të një skeme manipulimi të njohur si “treni bullgar”.